Dënohet me 7 vite burg nënkryetari i partisë liberale Yabloko që kundërshtoi luftën në Ukrainë

featured
Press Online
24 Qershor 2026, 18:56

Një gjykatë në Rusi ka dënuar me shtatë vite burg Maksim Kruglov, nënkryetarin e partisë liberale opozitare Yabloko (Molla), me akuzën e përhapjes së “informacioneve të rreme” për ushtrinë ruse.

Vendimi u shpall vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Rusi. Kruglov, ish-deputet i Këshillit Bashkiak të Moskës dhe një kritik i hapur i luftës në Ukrainë, ishte arrestuar në tetor të vitit të kaluar për postime të publikuara në aplikacionin Telegram gjatë vitit 2022, kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Gjatë seancës gjyqësore, Kruglov deklaroi se është i pafajshëm dhe theksoi se lufta në Ukrainë është një tragjedi që duhet të marrë fund sa më shpejt.

Sipas akuzës, një nga postimet e tij i referohej të dhënave të Kombeve të Bashkuara për numrin e viktimave të luftës, ndërsa një tjetër trajtonte ngjarjet e ndodhura në Bucha, qytetin pranë Kievit që u bë simbol i akuzave për krime lufte pas tërheqjes së forcave ruse në mars të vitit 2022.

Ukraina dhe aleatët perëndimorë kanë akuzuar ushtrinë ruse për vrasjen e civilëve në Bucha, ndërsa Moska i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të sajuara për të diskredituar forcat ruse.

Partia Yabloko, e cila ishte një nga forcat kryesore liberale në vitet e para pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, sot ka një prani të kufizuar në politikën ruse, me disa mandate në parlamentet rajonale dhe asnjë përfaqësim në Dumën e Shtetit.

Megjithatë, pjesëmarrja e saj në zgjedhje i ka dhënë mundësi të vazhdojë të shprehë qëndrimet kundër luftës në Ukrainë.

Rusia pritet të zhvillojë zgjedhjet për Dumën e Shtetit, dhomën e ulët të parlamentit rus, në muajin shtator.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter