Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka theksuar se në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk ka ndryshime rreth qëndrimeve politike dhe proceseve të brendshme të partisë.
Haziri ka bërë të ditur se nominimi për presidente i Vjosa Osmani mbetet i vetmi emër nga radhët e LDK-së dhe se, në kuadër të debatit paszgjedhor, ai ka paraqitur vetëm parime për bashkëpunim dhe stabilitet institucional.
“Asgjë s’ka ndryshu. Nominimi për presidente i Vjosa Osmanit mbetet i vetmi emër nga radhët e LDK-së. Në kuadër të debatit paszgjedhor, në emër të LDK-së kam paraqitur parimet gjithëpërfshirëse dhe modalitetet për bashkëpunim të mundshëm, për krijimin e stabilitetit politik dhe institucional”.
Ai ka theksuar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbetet adresa e vetme për drejtimin e proceseve politike në të ardhmen e afërt, ndërsa çdo kërkesë politike do të trajtohet brenda strukturave të partisë.
“Demokracia është barazvlefshme me lirinë dhe pavarësinë e Republikës. Kauza ‘një parti, një shtet’ është kauzë e humbur. Askush mbi Republikën!”, ka shkruar Haziri në Facebook.







