Kuçi: Realiteti në Kosovë po e çmonton propagandën e Beogradit

featured
Press Online
23 Qershor 2026, 16:58

Regjimet autoritare mund të kontrollojnë mediat, narrativat dhe diskursin publik, por e kanë shumë më të vështirë të kontrollojnë përvojën e drejtpërdrejtë të qytetarëve.

Kjo është teza kryesore që ngre Gurakuç Kuçi, hulumtues i jashtëm në Institutin “Octopus”, i cili argumenton se propaganda e ndërtuar prej vitesh nga Beogradi për Kosovën po përballet gjithnjë e më shpesh me realitetin në terren.

Sipas Kuçit, regjimi i presidentit serb Aleksandër Vuçiq ka investuar për vite të tëra në krijimin e një narrative që e paraqet Kosovën si një vend ku serbët jetojnë nën kërcënim të vazhdueshëm.

Megjithatë, ai vlerëson se kjo makineri propagandistike po has në vështirësi sa herë që qytetarët serbë përballen drejtpërdrejt me realitetin.

Si shembull, Kuçi përmend vizitën e lëvizjes studentore serbe “Studenti u svakom selu” në disa zona të Kosovës, përfshirë Gotovushën dhe Shtërpcën. Pas takimeve me shqiptarë dhe përvojave në terren, studentët deklaruan se shumë nga paragjykimet e tyre ishin rrëzuar.

Sipas tij, raportimet e studentëve treguan se shqetësimet e komunitetit serb nuk lidhen domosdoshmërisht me marrëdhëniet me shqiptarët, por shpesh burojnë nga mekanizmat politikë dhe strukturat e kontrollit që veprojnë nën ndikimin e Beogradit.

Shkrimi i plotë i Kuçit: 

𝐒𝐢 𝐞 𝐦𝐩𝐨𝐬𝐡𝐭 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐞𝐦𝐩𝐢𝐫𝐢𝐤 𝐦𝐚𝐤𝐢𝐧𝐞𝐫𝐢𝐧ë 𝐞 𝐩𝐫𝐨𝐩𝐚𝐠𝐚𝐧𝐝ë𝐬 𝐬ë 𝐕𝐮ç𝐢𝐪𝐢𝐭?

Regjimet autoritare kanë një pikë të dobët që nuk e fshehin dot: frikën nga realiteti. Në epokën e luftës hibride dhe dezinformimit, regjimi i Aleksandër Vuçiqit në Serbi shpenzon miliona nga buxheti shtetëror për të ndërtuar një industri të tërë narrative fiktive. Për vite me radhë, diskursi zyrtar në Beograd ka fabrikuar një imazh të Kosovës të bazuar ekskluzivisht mbi viktimizimin, frikën dhe projektimin e një konflikti të përhershëm ndëretnik.

Megjithatë, kjo flluskë propagandistike pëson çarje sapo përplaset me të vërtetën në terren (ground truth).

Rasti më i fundit është ai i lëvizjes studentore serbe “Studenti u svakom selu” (Studenti në çdo fshat). Pas një vizite në fshatrat e Kosovës, si Gotovushë e Shtërpcë, këta studentë deklaruan publikisht diçka që tronditi vijën zyrtare të Beogradit: përvoja e drejtpërdrejtë dhe takimet me shqiptarët rrëzuan strukturën e paragjykimeve të tyre. Raporti i tyre dëshmoi se burimi real i pasigurisë për serbët lokalë nuk janë fqinjët e tyre shqiptarë, burim i cili buron nga instrumentet e kontrollit të vetë Beogradit, si “Srpska Lista” dhe strukturat paralele.

Ky model i kontrollit përmes frikës së simuluar nuk është i ri. Matricat e izolimit informativ që aplikohen sot, janë të njëjtat që kam vëzhguar rreth 15 vite më parë.

Në vitin 2011, gjatë kohës që disa studentë serbë merrnin pjesë në Universitetin Ndërkombëtar Veror të Prishtinës, vura re se ata refuzonin të dilnin në qytet. Kur i pyeta për shkakun e këtij izolimi, përgjigja e tyre ishte produkt i pastër i propagandës shtetërore: zyrtarët në Serbi i kishin instruktuar se nëse flisnin serbisht apo do e kuptonin shqiptarët se ata janë serbë në rrugët e Prishtinës, do t’i rrihnin ose do t’i vrisnin.

Pasi i binda të dilnin me mua, thyerja e parë e këtij miti ndodhi brenda pak minutash. Në sheshin qendror të Prishtinës, ata dëgjuan një qytetar duke folur lirshëm dhe me zë të lartë në gjuhën serbe. Ky moment pothuajse banal bëri që e gjithë narrativa e rrezikut ekzistencial të shembej para syve të tyre. Gjatë ditëve në vijim, të çliruar nga frika e instaluar, ata lëviznin dhe bisedonin në gjuhën e tyre nëpër lokalet e kryeqytetit, pa pasur më nevojë për asnjë “shoqërues”.

Ky dështim i vazhdueshëm i makinerisë së baltës në Beograd demonstron dobësinë gjenetike të çdo sistemi propagandistik: kontrolli i opinionit funksionon vetëm deri në momentin që individit i mundësohet qasja te realiteti. Regjimet mund të kontrollojnë mjetet e informimit, bakshishet mediatike dhe narrativat, por e kanë të pamundur të diktojnë përvojën empirike të qytetarëve të tyre kur ata prekin terrenin.

Në fund të fundit, propaganda nuk mposhtet me kundër-sllogane apo retorikë politike. Ajo dekompozohet atëherë kur njerëzit refuzojnë të konsumojnë narrativën e gatshme dhe fillojnë të testojnë vetë vërtetësinë e saj.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter