Jon Bon Jovi ka ndarë një lajm të shumëpritur për fansat e tij, duke konfirmuar se është rikuperuar plotësisht pas operacionit të ndërlikuar në kordat vokale që për vite me radhë e mbajti larg skenës.
Frontmeni legjendar i grupit Bon Jovi, 64 vjeç, zbuloi në një intervistë për revistën People se beteja e tij me problemet vokale më në fund ka marrë fund, katër vite pasi iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale për të riparuar një kordë vokale të dëmtuar.
Jam plotësisht i shëruar. Procesi zgjati më shumë sesa e prisja, por ishte e rëndësishme të bëhej siç duhet. Nuk e humbëm kurrë shpresën
-u shpreh këngëtari.
Artisti kujtoi edhe momentin e vështirë kur mjekët i treguan se njëra nga kordat e tij vokale po atrofizohej, një diagnozë që e tronditi thellë.
Nuk kisha bërë asgjë që ta dëmtonte zërin tim. Gjithmonë jam kujdesur për të dhe jam trajnuar profesionalisht si vokalist. Ishte shumë e vështirë ta pranoja atë që po ndodhte
-tha ai.
Në vitin 2024, Bon Jovi kishte pranuar publikisht se nuk ishte i sigurt nëse do të mund të rikthehej ndonjëherë në turne muzikor. Megjithatë, pas një periudhe të gjatë rehabilitimi, ai nisi gradualisht të ngjitej sërish në skenë.
Performuam në Nashville dhe gjithçka shkoi shumë mirë. Hap pas hapi po rikthehesha aty ku i përkas
-deklaronte ai në atë kohë.
Këngëtari tregoi gjithashtu se frika më e madhe ishte mundësia për të humbur përgjithmonë zërin që e shndërroi në një ikonë të rock-ut botëror.
Disa njerëz duhej të më qetësonin. Vazhdimisht pyesja veten: ‘Çfarë kam bërë gabim?’
-kujtoi ai.
Pavarësisht vështirësive, Bon Jovi mbeti besnik filozofisë së tij artistike dhe theksoi se nuk do të përdorte kurrë playback apo auto-tune për të fshehur problemet vokale.
Më mirë do të më godiste një autobus sesa të dilja në skenë duke u mbështetur tek ato
-tha ai me humor.
Një ndihmë të rëndësishme gjatë kësaj periudhe i dha edhe këngëtarja e njohur Shania Twain, e cila i rekomandoi specialistin që e kishte ndihmuar edhe vetë pas problemeve të ngjashme me zërin.
Pas viteve të pasigurisë dhe rehabilitimit, Jon Bon Jovi duket më i vendosur se kurrë për t’u rikthyer plotësisht në muzikë dhe për të vazhduar karrierën që ka frymëzuar breza të tërë fansash në mbarë botën.







