Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka njoftuar se janë realizuar 4.423 lindje gjatë periudhës janar – 15 qershor 2026.
Sipas të dhënave të klinikës, nga numri i përgjithshëm i lindjeve, 3.090 janë kryer në mënyrë spontane, ndërsa 1.333 të tjera me prerje cezariane.
“Në këtë periudhë, ekipet profesionale të klinikës kanë trajtuar me sukses edhe foshnjat e lindura para kohe, ku 318 prej tyre, pas kujdesit intensiv dhe trajtimit të specializuar, janë liruar në gjendje të mirë shëndetësore për në shtëpi”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
“Në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, kujdesi shëndetësor ofrohet nga ekipe multidisiplinare të përbëra nga mjekë specialistë, infermierë dhe mamitë, të cilët kujdesen për menaxhimin e shtatzënive, lindjeve dhe trajtimin e rasteve të ndryshme gjinekologjike e obstetrike”, thuhet në njoftimin e Klinikës në një postim në Facebook.
Institucionet shëndetësore vlerësojnë se shëndeti i gruas dhe i të porsalindurit mbetet ndër prioritetet kryesore të sistemit shëndetësor, duke e konsideruar investimin në këtë fushë si investim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e familjes dhe zhvillimin e shoqërisë.







