Rikonfigurimi i Qeverisë, VLEN hyn në negociata me tre skenarë për ndryshimet kadrovike

featured
Press Online
18 Qershor 2026, 12:54

Kryeministri Hristijan Mickoski këtë të premte do të hapë rundin e parë të konsultimeve për rindërtimin e Qeverisë me partnerin qeveritar VLEN, takim në të cilin pritet të vendosen parimet politike dhe institucionale mbi të cilat do të ndërtohet faza e ardhshme e ndryshimeve në kabinetin qeveritar, informon PressOnline.al

Në fokus të takimit me bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, do të jetë përcaktimi i modelit të rindërtimit, nëse bëhet fjalë për ndërhyrje të kufizuara apo për një rikonfigurim më të gjerë të strukturës qeveritare që do të përfshijë ministra, zëvendësministra dhe pozicione drejtuese në sektorin publik.

Burime nga VLEN për PressOnline.al bëjnë të ditur se koalicioni në takim do të paraqesë qëndrimet e veta, ndërsa njëkohësisht pret të dëgjojë edhe vizionin e kryeministrit për formatin e ri të funksionimit të kabinetit qeveritar. Sipas të njëjtave burime, VLEN tashmë ka përgatitur tre skenarë të mundshëm për realizimin e rindërtimit.

Në mesin e ndryshimeve që konsiderohen më të afërta për t’u materializuar përmendet largimi i ministrit të Politikës Sociale, Fatmir Limani, si dhe plotësimi i pozitës së zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, e cila mbeti e lirë pas dorëheqjes së Arben Fetait, me propozim që do të vijë nga VLEN.

Nga VLEN nuk përjashtohet as opsioni i rotacionit të resorëve mes partnerëve qeveritarë, një skenar që do t’i jepte rindërtimit dimension më të thellë politik dhe jo vetëm karakter zëvendësues të emrave aktual.

Rindërtimi i paralajmëruar vjen në një moment kur partnerët e shumicës qeverisëse po hyjnë në fazën e vlerësimit të performancës së institucioneve, ndërsa vendimet që do të dalin nga këto takime pritet të përcaktojnë ritmin dhe drejtimin e fazës së dytë të mandatit qeverisës.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter