Hapet Panairi i Librit, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ofron zbritje për lexuesit

featured
Press Online
17 Qershor 2026, 20:34

Mijëra tituj do të jenë në dispozicion për adhuruesit e librit në “Panairin e Librit” që hapi sot dyert në hapësirat e Pallatit të Rinisë në kryeqytet.

Në hapje mori pjesë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, që mes tjerash, foli për rëndësinë që ka promovimi i kulturës së leximit.

“Sepse çdo vend që e vendos librin në hapësirën publike, qoftë edhe për disa ditë, mban gjallë një pjesë të fjalës së shkruar. Por mirënjohja për këtë punë të madhe nuk na liron nga përgjegjësia për ta parë gjendjen në sy. Duhet të flasim edhe për vendin që libri nuk po e zë në jetën tonë të përditshme”, ka deklaruar Haxhiu.

E, përfaqësuesi i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, kërkoi mbështetje institucionale.

“meqenëse sot kemi në mesin tonë edhe përfaqësuesit e këtyre institucioneve, po e shfrytëzoj rastin të bëj një kërkesë publike, ndoshta politike por thellësisht kulturore të ndërtojmë, për Prishtinën dhe Kosovën, një ambient më të denjë për organizimin e panaireve, ekspozitave dhe ngjarjeve të tjera kulturore dhe artistike. Potenciali krijues i këtij vendi është shumë më i madh sesa hapësira që kemi në dispozicion”, ka theksuar ai.

Sikur tradicionalisht, pjesë e panairit është edhe Shtëpia Botuese “Dukagjini” e cila këtë vit sjell një ambient krejt ndryshe e me shumë risi për lexuesit.

“ne kemi libra që janë të specifikuar për fëmijë nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë që do të vazhdojë deri tek klasa e nëntë e që është një seri e lektyrave ku përfshihen edhe autorë shqiptarë edhe autorë të huaj të cilët janë të përkthyer në gjuhën shqipe me shumë kujdes”, ka theksuar Liridona Bytyçi, redaktore.

Ndonëse e mërkura qe dita e parë, interesimi për shtëpinë botuese Dukagjini nga vizitorët ishte i madh.

“Të gjithë këta libra në gjithë këtë panair do t’i kenë me 30% zbritje sepse për ne ka qenë gjithmonë e rëndësishme që lexuesit të kenë libra me një çmim sa më të pranueshëm dhe të arsyeshëm për ta dhe po shpresojë që do të jenë të kënaqur si me çmimet ashtu edhe me titujt që janë për këtë vit”, ka thënë Bytyçi.

Panairi do të jetë i hapur deri të dielën e 21 qershorit.

https://www.youtube.com/watch?v=ojXw8nqynog

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter