Aktorja dhe regjisorja Olivia Wilde ka folur për herë të parë pas shumë vitesh për lidhjen e saj me Harry Styles, duke pranuar se romanca e tyre shkaktoi reagime të forta dhe zemërim te një pjesë e publikut.
Gjatë një interviste në podcastin “Call Her Daddy”, 42-vjeçarja tha se nuk e kishte kuptuar kurrë plotësisht pse marrëdhënia e tyre kishte nxitur kaq shumë polemika, duke shtuar se shumë njerëz ishin “vërtet të zemëruar” për faktin që ata ishin bashkë.

Wilde dhe Styles nisën lidhjen në vitin 2021 pasi u njohën gjatë xhirimeve të filmit “Don’t Worry Darling”, ku ajo ishte regjisore dhe ai një nga protagonistët kryesorë. Marrëdhënia e tyre zgjati afro dy vjet përpara se çifti të ndahej në fund të vitit 2022.

Sipas aktores, lidhja e tyre ishte shumë ndryshe nga mënyra si u paraqit në media.
Ishte një marrëdhënie e bukur dhe e qetë. Ne krijuam një lloj flluske tonën, larg zhurmës së jashtme
-u shpreh ajo, duke theksuar se kritikat nuk ndikuan drejtpërdrejt në jetën e tyre private.
Wilde sugjeroi gjithashtu se një pjesë e reagimeve lidhej me marrëdhënien e veçantë që shumë fansa kishin krijuar me Styles, si dhe me standardet e dyfishta që shpesh aplikohen ndaj grave në marrëdhënie publike.
Ajo vuri në dukje se diferenca prej 10 vitesh në moshë mes tyre u komentua shumë më tepër sesa marrëdhënie të ngjashme ku burri është më i madh në moshë.

Sot, të dy kanë vazhduar jetën e tyre. Wilde është lidhur me tregtarin britanik të artit Caspar Jopling, ndërsa Styles raportohet se është fejuar me aktoren Zoë Kravitz.
Pavarësisht polemikave që shoqëruan romancën e tyre, Wilde e përshkroi marrëdhënien me këngëtarin si një periudhë të bukur të jetës së saj dhe la të kuptohet se nuk ka pendesa për atë histori dashurie.







