Italia do të rihapë të premten ambasadën e saj në Teheran, pas më shumë se tre muajsh mbylljeje për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Lajmi u bë i ditur sot nga ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.
Duke folur në Parlament, Tajani njoftoi se, krahas ambasadës, do të rifillojnë aktivitetin edhe zyrat e Agjencisë Italiane për Tregtinë e Jashtme në kryeqytetin iranian. Italia kishte vendosur në fillim të marsit të mbyllte përkohësisht përfaqësinë diplomatike në Iran dhe të transferonte personelin në Baku për arsye sigurie, pas shpërthimit të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Sipas Tajanit, ambasadorja italiane do të rikthehet në Teheran së bashku me diplomatët dhe zyrtarët e Ministrisë së Jashtme.
Ai theksoi se, megjithëse situata në Lindjen e Mesme mbetet e ndërlikuar dhe kërkon kujdes, për herë të parë pas javësh lufte dhe negociatash të vështira po shfaqen shenja konkrete për paqe.
Njoftimi vjen pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani ranë dakord këtë javë për një marrëveshje që synon t’i japë fund konfliktit në rajon, i cili që nga fundi i shkurtit ka shkaktuar mijëra viktima, kryesisht në Iran dhe Libani.
Marrëveshja pritet të nënshkruhet zyrtarisht të premten në Zvicër.







