Ministria e Shëndetësisë pagoi gati 1,8 milionë euro përmes përmbaruesit, kamata për ambulancat modulare arriti në 52,6 për qind të borxhit

featured
Press Online
17 Qershor 2026, 11:38

Ministria e Shëndetësisë më 22.05.2026, përmes përmbaruesit Vasko Blazhevski, ka paguar gati 1,8 milionë euro për tre ambulancat modulare në Gjorçe Petrov, Butel dhe Novo Lisiçe.

Bëhet fjalë për një lëndë në të cilën gjykatat kanë konstatuar detyrimin për pagesë për punë ndërtimore të kryera, pas çka kreditori ka nisur procedurë përmbarimore. Barra më e madhe në pagesë është kamata, e cila ka arritur në 52,6 për qind të borxhit kryesor, përcjell PressOnline.al.

Nga Ministria e Shëndetësisë për Faktor i konfirmojnë shumat që janë arkëtuar.

“Në kuadër të pagesës së kryer, borxhi kryesor është 71.980.569 denarë, ndërsa kamata është 37.887.009 denarë. Përveç këtyre shumave, janë arkëtuar edhe shpenzime dhe kompensime të lidhura me procedurën gjyqësore dhe përmbarimore në vlerë të përgjithshme prej 578.764 denarësh. Shuma totale e arkëtuar është 110.446.342 denarë”, njoftojnë nga MSH.

E llogaritur në euro, borxhi kryesor është rreth 1,17 milionë euro, kamata rreth 616 mijë euro, ndërsa shpenzimet gjyqësore dhe përmbarimore rreth 9,4 mijë euro. Pagesa totale arrin rreth 1,79 milionë euro.

Punimet në tre ambulancat modulare u ndërprenë pas tragjedisë në spitalin modular në Tetovë, ku nga zjarri humbën jetën 14 persona. Objektet ishin pjesë e projektit për zëvendësimin e barakave të vjetra ambulantore, ndërsa pas tragjedisë u hapën pyetje për sigurinë, dokumentacionin dhe mënyrën e realizimit të objekteve modulare shëndetësore.

Nga Ministria theksojnë se pagesa është kryer në bazë të vendimeve të plotfuqishme gjyqësore.

“Urdhri për përmbarim është zbatuar në bazë të një vendimi të plotfuqishëm dhe të ekzekutueshëm gjyqësor, përkatësisht aktgjykimit të Gjykatës Themelore Shkup dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit Shkup. Borxhi buron nga një detyrim i konstatuar gjyqësisht për punë ndërtimore të kryera, të lidhura me objekte të përkohshme për veprimtari shëndetësore ambulantore-poliklinike, të realizuara në kuadër të aktiviteteve të Njësisë Projektuese të Ministrisë së Shëndetësisë”, thonë nga MSH.

Në përgjigje thuhet se kreditori ka nisur procedurë për arkëtim të detyrueshëm përmes përmbaruesit, pasi vendimi gjyqësor është bërë i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm.

Projekti për ambulancat modulare ishte pjesë e paketës më të gjerë të objekteve modulare shëndetësore nga periudha e kovidit. Tre ambulancat në Gjorçe Petrov, Butel dhe Novo Lisiçe ishin të lidhura me zëvendësimin e objekteve të vjetra të veprimtarisë ambulantore-poliklinike, por pas ndërprerjes së aktiviteteve pasoi kontesti rreth pagesës.

Borxhi buron nga një detyrim i konstatuar gjyqësisht për punë ndërtimore të kryera, të lidhura me objekte të përkohshme për veprimtari shëndetësore ambulantore-poliklinike, të realizuara në kuadër të aktiviteteve të Njësisë Projektuese të Ministrisë së Shëndetësisë.

Deri te arkëtimi i detyrueshëm ka ardhur për shkak se kreditori, pas plotfuqishmërisë dhe ekzekutueshmërisë së vendimit gjyqësor, ka nisur procedurë përmbarimore përmes përmbaruesit kompetent. Në një procedurë të tillë, Ministria e Shëndetësisë, si debitor në lëndë, është e detyruar të veprojë në përputhje me vendimin e plotfuqishëm dhe të ekzekutueshëm gjyqësor dhe urdhrin për përmbarim.

Ministria e Shëndetësisë do ta analizojë të gjithë dokumentacionin dhe rrethanat e lidhura me lëndën dhe, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, do të ndërmarrë aktivitete përkatëse nëse konstatohet nevoja për veprim të mëtejshëm.

Si kreditor në këtë lëndë paraqitet Shoqëria për kontrolle teknike, testime dhe analiza “Energy Maintenance Solutions EMS” SHPK Shkup, theksojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Me pagesën e fundit, borxhi kryesor është paguar së bashku me kamatën që përbën më shumë se gjysmën e detyrimit kryesor. Lënda, e cila në vitin 2023 ishte evidentuar si borxh i papaguar, tani ka përfunduar me përmbarim nga llogaritë e Ministrisë. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter