Dëm prej të paktën 3.5 milionë eurosh ka konstatuar Enti Shtetëror i Revizionit vetëm për vitin 2024 në Lotarinë Shtetërore të Maqedonisë, në periudhën kur drejtor i ndërmarrjes ishte Përparim Bajrami, ndërsa udhëheqëse e sektorit të financave ishte Aneta Nasteva, shkruan portali Zbor.
Sipas informacioneve të deritanishme, mjetet financiare janë nxjerrë çdo ditë në formë të parave të gatshme nga Lotaria Shtetërore e Maqedonisë, ndërsa një pjesë e personave të dyshuar për përvetësimin e tyre, jozyrtarisht posedojnë vizë të artë në Greqinë fqinje, si dhe pasuri të konsiderueshme në atë vend.
Për më tepër, një gazetar me origjinë nga Berova, redaksia e të cilit u mbyll pas ardhjes së Donald Trumpit në postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjithashtu ka përfituar donacione nga e njëjta ndërmarrje.
E gjithë historia ngjan me një skenar hollivudian të një serie kriminale. Pagesa fiktive, dokumente dhe nënshkrime të falsifikuara, nxjerrja e mjeteve në para të gatshme dhe një “gropë” financiare prej 3.5 milionë eurosh brenda vetëm një viti, e bëjnë këtë rast potencialisht një nga aferat më të mëdha kriminale që nga pavarësia e Maqedonisë. Ky rast pritet të shërbejë si shembull studimi në tekstet universitare të së drejtës penale në vend.







