Maqedonia e Veriut ka potencial dhe mundësi për investime në energjetikë, vlerësojnë nga IFC

featured
Press Online
16 Qershor 2026, 13:57

Nevoja për investime në energjetikë është e madhe, ndërsa Maqedonia e Veriut ka potencial dhe mundësi, vlerësojnë nga Grupacioni IFC i Bankës Botërore. Ata thonë se Qeveria është e përkushtuar për të zvogëluar importet e energjisë elektrike dhe për të braktisur prodhimin tradicional të energjisë elektrike dhe për t’u përqendruar në krijimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, por se edhe kapitali privat do të jetë çelësi në këto projekte.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor përballet me sfida që lidhen me furnizimin me energji, tronditjet e çmimeve dhe varësinë nga prodhimi i energjisë elektrike nga burimet tradicionale të energjisë. Në të njëjtën kohë, vendet kandidate për në BE nga Ballkani Perëndimor përballen me pritje dhe kërkesa në rritje që lidhen me tranzicionin energjetik dhe përafrimin me politikat evropiane. Kjo nënkupton investime të konsiderueshme në infrastrukturën energjetike, burimet e energjisë së rinovueshme, ruajtjen e energjisë dhe modernizimin e rrjeteve të shpërndarjes”, u theksua në ditën e hapur të sotme të Grupit IFC.

Për këtë tranzicion nevojiten investime të mëdha për prodhimtari, deponim, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, thotë Vadim Sherbakov, zyrtar për investime infrastrukturore në IFC, por ana e mirë, sipas tij, është që interesi për investime në tranzicionin energjetik vazhdimisht rritet.

“Po shohim gjithnjë e më shumë investitorë që po shqyrtojnë zgjidhje të ndryshme inovative, modele të reja biznesi dhe forma të larmishme bashkëpunimi. Institucionet financiare ndërkombëtare dhe bankat tregtare po i njohin gjithnjë e më shumë mundësitë që sjell tranzicioni energjetik dhe po ofrojnë instrumente të ndryshme për financimin e projekteve, dhe qeveritë janë gjithnjë e më të hapura ndaj liberalizimit të tregut. Megjithatë, investitorët privatë ende përballen me sfida të tilla si burimet e mëdha financiare dhe procedurat e gjata për lëshimin e lejeve”, thotë Sherbakov.

Sipas ministres së Financave Gordana Dimitrieska Koçoska, në kushte të sfidave globale, investimet, inovacionet dhe sektori i fortë privat mbesin shtytësit kryesor të rritjes ekonomike, produktivitetit dhe hapjes së vendeve të reja të punës.

“Angazhimi ynë është të mbështesim investimet që krijojnë vlerë më të madhe të shtuar, krijojnë vende të reja pune dhe rrisin konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare, përfshirë edhe përmes integrimit në zinxhirët globalë të vlerës”, tha Dimitrieska-Koçoska në ditën e parë të hapur të IFC-së, duke deklaruar se Qeveria mbetet e përkushtuar për krijimin e një mjedisi biznesi të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe stimulues për investime, sipërmarrje dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Dimitrieska Koçoska e përshëndeti mbështetjen e IFC-së për realizimin e projekteve të mëdha investuese, duke përfshirë edhe zhvillimin e Parkut me erë në Shtip, si dhe investimet në modernizimin industrial dhe dekarbonizimin, duke vlerësuar se ato kontribuojnë për hapjen e vendeve të reja të punës, transferin e teknologjive dhe forcimin e konkurencës së ekonomisë vendore.

Dimitrieska Koçoska theksoi edhe se ekonomia e Maqedonisë shënon rritje shtatë tremujore radhazi, ndërsa të dhënat tregojnë rritje të PBB-së prej 3,1 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, që, siç tha, është konfirmin se politikat e kahëzuara drejt stabilitetit, investimeve dhe mbështetjes së sektorit privat japin rezultate konkrete.

Përveç financave, IFC ofron edhe mbështetje eksperte. Nga atje thonë se shohin mundësi të mëdha për bashkëpunim me shtetin veçanërisht në pjesën e energjetikës dhe tranzicionit energjetik.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter