Koalicioni VLEN ka theksuar se nuk është krijuar për të shtuar një tjetër subjekt në skenën politike shqiptare, por për të bashkuar energjitë, potencialin dhe vullnetin politik të shqiptarëve rreth një vizioni të përbashkët.
Përmes një komunikate, VLEN vlerëson se për vite me radhë qytetarët shqiptarë kanë dëgjuar premtime për bashkim, por sipas tyre, pak kanë qenë të gatshëm ta vendosin interesin e përbashkët mbi interesin partiak, informon PressOnline.al.
“Prandaj, VLEN nuk lindi nga nevoja për të shtuar edhe një emër në skenën politike shqiptare. VLEN lindi nga nevoja për të bashkuar energjitë, potencialin dhe vullnetin politik të shqiptarëve rreth një vizioni të përbashkët”, thuhet në reagim.
Sipas VLEN-it, për herë të parë pesë forca politike kanë vendosur të tejkalojnë dallimet dhe të ndërtojnë një projekt të përbashkët politik, i cili buron nga besimi i qytetarëve në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Kërçovë, Strugë, Dibër dhe në çdo vendbanim shqiptar ku kërkohet përfaqësim i ndershëm, zhvillim dhe dinjitet, informon PressOnline.al.
Nga ky koalicion theksojnë se përfaqësojnë një alternativë moderne të qendrës së djathtë, të mbështetur mbi vlerat e familjes, punës, meritokracisë, zhvillimit ekonomik dhe përgjegjësisë në qeverisje.
“Në një kohë kur shumëkush investon në ndarje, ne zgjodhëm bashkimin. Në një kohë kur politika shpesh matet me interesa të ngushta, ne zgjodhëm interesin qytetar”, thuhet më tej në deklaratë, informon PressOnline.al.
Në fund, VLEN porosit se shqiptarët nuk kishin nevojë për një parti më shumë, por për një forcë më të madhe.
“Kishin nevojë për VLEN”, përfundon reagimi.







