Çfarë mund të sjellë vizita e Marta Kos në Maqedoni?

featured
Press Online
15 Qershor 2026, 10:38

Vizita e paralajmëruar e Eurokomisares për Zgjerim, Marta Kos, në Shkup muajin e ardhshëm është pjesë e një turneu të rregullt rajonal, nga i cili nuk duhet të kemi pritshmëri të mëdha, duke pasur parasysh se kushti për ndryshimet kushtetuese për vendin tonë mbetet, vlerëson analisti Petar Arsovski. Megjithatë, sipas tij, ajo do të sjellë një mesazh nga Brukseli se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një proces i gjallë, përcjell PressOnline.al.

“Korniza negociuese me shumë gjasë do të mbetet fikse. Ndoshta mund të marrim ndonjë interpretim ose nxitje dhe mendoj se ky është mesazhi kryesor i komisares – një nxitje në kuadër të mundësive aktuale për përshpejtimin e procesit eurointegrues”, deklaroi analisti Petar Arsovski.

Sipas Arsovskit, non-paper-i i Merzit dhe Macronit, për të cilin u diskutua në Tivat, e sipas të cilit vendet kandidate do të integroheshin më shpejt gjatë negociatave të anëtarësimit, mund të jetë temë diskutimi gjatë vizitës së Kos në Maqedoni.

“Duhet të kemi parasysh se bëhet fjalë për idenë që përfitimet të mos priten deri në fund të procesit negociues, por të realizohen gradualisht derisa zgjat procesi i negociatave. Duhet të kemi parasysh se Maqedonia për momentin nuk është në proces negociues. Prandaj, edhe nëse pranohen të gjitha idetë e Merz dhe Macron, ato për ne do të vlejnë vetëm nëse i zhbllokojmë negociatat, duke i miratuar ndryshimet kushtetuese. Kushtet dhe sistemi i meritave për negociatat nuk mund të ndryshohen, por nëse hipim në këtë tren, mund të ndiejmë një pjesë të përfitimeve të metodologjisë së re”, tha analisti Petar Arsovski.

Fakti që nesër Ukraina dhe Moldavia do të nisin hapjen e kapitujve negociues, te ne do të krijojë ndjenja të përziera, vlerëson Arsovski. Për disa, kjo do të krijojë presion për përshpejtimin e procesit eurointegrues, ndërsa te ata që tashmë kanë qëndrim skeptik ndaj BE-së, do të nxisë pakënaqësi shtesë, me bindjen se Bashkimi Evropian nuk i përmbush premtimet e veta, thekson Arsovski. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter