Nga zjarri deri te rrëshqitja e dheut: Sa të sigurta janë kantieret e ndërtimit në Shkup?

featured
Press Online
15 Qershor 2026, 10:24

Trupi ndriçues i djegur dhe pllakat e plasaritura rreth dollapëve elektrikë ende qëndrojnë aty dhe dëshmojnë për zjarrin që shpërtheu dje në orët e mëngjesit në lagjen Kisella Vodë. Në afërsi të menjëhershme ka edhe ndërtesa të reja banesore, ku tashmë jetojnë qytetarë, si dhe një kantier ku po ndërtohen objekte të reja.

Nga Elektrodistribuimi i kanë zëvendësuar dollapët e dëmtuar elektrik, por mbi ta, në konstruksionin metalik, ende varet trupi i dëmtuar ndriçues, i cili nuk është larguar. Menjëherë poshtë tij ndodhet një kënd lojërash për fëmijë, ku çdo ditë qëndrojnë më të vegjlit. Qytetarët thonë se nuk ndihen të sigurt dhe kërkojnë masa më të rrepta dhe kontroll më të madh për të parandaluar incidente të tilla.

“Ka qenë e frikshme dhe e papranueshme. Duhet të punohet në shumë gjëra. Kur ndërtohet një objekt, së pari duhet të rrethohet zona përreth tij, e më pas, kur të përfundojë ai objekt, të fillojë ndërtimi i një tjetri. Këtu, në këtë vend, ne tashmë tre vjet po thithim pluhur. Ja, edhe vetë mund ta vëreni se çfarë pluhuri ngrihet nëse fryn era. Në përgjithësi duhet të ketë më shumë siguri për të gjithë rreth kantiereve të ndërtimit”, thotë një qytetare e anketuar nga Tellma TV, përcjell PressOnline.al.

“Nëse është vërtet e sigurt, nuk e di, sepse e dimë si ndërtohen objektet, e sidomos ndërtesat e reja – gjithçka bëhet shkel e shko. Kam banesë këtu, por nuk isha aty gjatë zjarrit. Për ngjarjen pashë në internet. Mendoj se nëse vazhdon kështu, vërtet nuk është e sigurt. Për fat të keq, duhet të ndodhë diçka e tillë që institucionet kompetente të ndërhyjnë dhe ta rregullojnë situatën siç duhet”, deklaroi një tjetër qytetar i anketuar.

Edhe profesori i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Goran Markovski, paralajmëron se kantieret e ndërtimit shpesh krijojnë probleme serioze për banorët përreth, duke filluar nga zhurma dhe pluhuri, e deri te cenimi i sigurisë dhe funksionimit normal të hapësirës publike.

“Zhurmë e madhe, punë edhe gjatë ditëve jopune, mungesë higjiene gjatë vendosjes së tualeteve në hapësira publike, rrethim i trotuareve, pamundësim i zhvillimit normal të trafikut, ndotje e ajrit me pluhur dhe papastërti të tjera”, thotë Goran Markovski, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë.

Dje, pak para orës gjashtë të mëngjesit, banorët e ndërtesave përreth bulevardit “Boris Trajkovski” kanë dëgjuar një zhurmë të fortë, pas së cilës kanë vërejtur tym dhe detonim. Gjatë ditës, ekipet e EVN-së e kanë sanuar defektin, ndërsa banorët kanë marrë sërish energji elektrike në orët e mbrëmjes.

Por ky nuk është rasti i vetëm. Kohë më parë, në një kantier ndërtimi në bulevardin “Teodosij Gologanov”, në afërsi të Kishës Katolike, ndodhi rrëshqitje e dheut gjatë gërmimit për një ndërtesë të re banesore. U dëmtuan trotuari, rruga dhe një pjesë e infrastrukturës, pas çka shërbimet inspektuese kryen kontroll dhe paralajmëruan masa ndaj investitorit.

Një muaj më parë, në Kisella Vodë, gjatë gërmimit të themeleve për një ndërtesë të re, ndodhi shembje e dheut, me ç’rast u mbuluan katër punëtorë ndërtimi. Njëri prej tyre humbi jetën. Të gjitha këto incidente shtrojnë pyetjen nëse standardet e sigurisë në kantieret e ndërtimit respektohen mjaftueshëm dhe nëse mbikëqyrja është në nivelin e duhur. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter