Princ William ka zbuluar se nuk ka hequr dorë nga një prej pasioneve të tij më të mëdha, motorët. Megjithatë, trashëgimtari i fronit britanik pranoi se sot e ushtron këtë hobi “fshehurazi” dhe madje “i maskuar”, për të shmangur vëmendjen e publikut.

Gjatë një vizite në organizatën bamirëse Norfolk Blood Bikes pranë rezidencës së tij në Anmer Hall, princi 43-vjeçar foli hapur për dashurinë e tij ndaj motoçikletave.
Ende ngas motor herë pas here, por fshehurazi
-tha ai me humor, duke shtuar më pas:
I maskuar.
Gjatë vizitës, William pa nga afër flotën e organizatës, e cila transporton gjak, plazmë, qumësht gjiri dhe materiale të tjera mjekësore jetike. Ai dhe bashkëshortja e tij, Catherine, Princesha e Uellsit, kanë financuar personalisht blerjen e një automjeti Ford Kuga për organizatën, i cili mban emrin “Prince William”.

Princi shfrytëzoi rastin për të falënderuar vullnetarët për punën e tyre, duke i quajtur ata një hallkë të pazëvendësueshme të komunitetit dhe sistemit shëndetësor.
Pasioni i William për motorët daton që në rininë e tij. Ai mori patentën për motoçikletë në vitin 2002, në moshën 19-vjeçare, dhe ka zotëruar disa modele të fuqishme ndër vite, përfshirë një Ducati 1198S, i aftë të arrijë shpejtësi deri në 290 kilometra në orë.
Madje, në vitin 2008, ai dhe vëllai i tij, Princ Harry, përshkuan rreth 1,600 kilometra me motor në Afrikën e Jugut për një nismë bamirësie.
Megjithatë, ky pasion nuk është parë gjithmonë me entuziazëm nga Kate. Gjatë një vizite në Dundee në vitin 2015, ajo pranoi publikisht se ndihej shumë e shqetësuar sa herë që bashkëshorti i saj hipte në motor.
Ai ende nget motor. Gjithmonë më kap ankthi kur hipën në motor. Jam e tmerruar
-kishte deklaruar ajo në atë kohë.
Që kur u bë baba i Prince George, Princess Charlotte dhe Prince Louis, William ka pranuar se e ka “zbutur” disi pasionin e tij për shpejtësinë.
Së fundmi, ai është parë më shpesh duke përdorur një skuter elektrik për të lëvizur brenda pronave të Windsor Castle, madje duke e quajtur atë “vërtet argëtues” gjatë një paraqitjeje në emisionin The Reluctant Traveler.
Megjithatë, edhe ky zakon mund të përballet me pengesa, pasi rregullat e reja në Windsor Great Park ndalojnë përdorimin e e-skuterëve dhe mjeteve të tjera të ngjashme të motorizuara brenda parkut.
Pavarësisht përgjegjësive mbretërore dhe shqetësimeve të familjes, duket se Princi William ende nuk është gati të heqë dorë plotësisht nga adrenalina që i ofrojnë dy rrotat.







