Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka përmbyllur procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë nga diaspora.
Sipas njoftimit të KQZ-së, në këtë proces janë përfshirë gjithsej 85,790 pako, prej të cilave janë aprovuar 82,809, ndërsa janë refuzuar 2,981.
Arsyeja kryesore e refuzimit të pakove ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit në 2,552 raste.
Ndër shkaqet e tjera përfshihen dërgimi i më shumë se një fletëvotimi në një pako, dërgimi nga shtet i ndryshëm nga ai i regjistrimit, mungesa e fletëvotimit, mungesa e vulës postare, si dhe raste të zarfeve të dërguara gabimisht.
KQZ ka bërë të ditur se votimi me postë është zhvilluar nga 21 maji deri më 6 qershor, ndërsa për votim janë regjistruar rreth 105 mijë shtetas të Kosovës jashtë vendit.
Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga diaspora, ku deri më tani janë numëruar 60 kuti votimi.







