Aktivistja serbe dhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka deklaruar se narrativa zyrtare lidhur me Kosovën në Serbi vazhdon të jetë ajo e “viktimizimit”.
Ajo tha se këto narrativa nxisin ndjenja nacionaliste te të rinjtë përmes idesë “Kosova është Serbi”, ndërsa përmendi edhe pasojat që, sipas saj, janë parë përmes “memorandumit të lëvizjes studentore”.
Kandiq theksoi se në këtë drejtim rol të rëndësishëm ka edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Sipas saj, problemi kryesor në procesin e drejtësisë tranzicionale në Serbi është media, duke shtuar se nuk ekziston asnjë televizion apo portal që raporton në mënyrë të rregullt për të kaluarën apo për rastet e krimeve të luftës.
Ajo tha gjithashtu se në mediat serbe nuk raportohet për policë apo ushtarë serbë të akuzuar për krime lufte, gjë që sipas saj tregon mungesë të transparencës dhe pengon përballjen me të kaluarën.
“Narrativa zyrtare lidhur me Kosovën është ajo e ‘viktimizimit’, tani edhe me elemente të reja nga akademia, që përbëjnë rrezik të madh për të ardhmen. Këto elemente kanë të bëjnë me nxitjen nacionaliste të të rinjve përmes narrativës ‘Kosova është Serbi’ dhe pasojat e saj u panë edhe me të ashtuquajturin Memorandum të lëvizjes studentore. Por, në këtë drejtim një rol të madh ka po ashtu presidenti Vuçiq. Problemi me drejtësinë tranzicionale është media në Serbi. Nuk ekziston asnjë televizion apo portal që publikon informacione lidhur me të kaluarën, nuk raporton për asnjë polic dhe ushtar serb që është i akuzuar për krimet e luftës”, ka deklaruar ajo.






