Dasma 1.5 milionëshe e Dua Lipës në Palermo ndez protesta: “Qyteti nuk është pronë private”

featured
Press Online
05 Qershor 2026, 16:50

Dasma luksoze e këngëtares Dua Lipa dhe aktorit Callum Turner në Palermo të Italisë ka shkaktuar reagime të forta nga banorët vendas, mes masave të shtuara të sigurisë dhe kufizimeve në disa zona të qytetit.

Sipas raportimeve, qindra të ftuar nga bota e showbiz-it kanë nisur të mbërrijnë në Siçili për ceremoninë tre-ditore, e cila po zhvillohet në disa prej lokacioneve më historike të Palermos, përfshirë Piazza Croce dei Vesperi dhe Palazzo Gangi. Zonat përreth janë rrethuar me barriera sigurie, kontrolle të rrepta dhe ekrane të mëdha për menaxhimin e turmave.

Por organizimi i eventit ka shkaktuar pakënaqësi mes banorëve, të cilët kanë vendosur postera proteste në rrugët e qytetit. Në pankarta shkruhet mes të tjerash: “Palermo nuk jepet me qira” dhe “Sheshi ynë nuk është dhoma juaj e ndenjes”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kufizimeve të vendosura për shkak të dasmës.

Raportohet gjithashtu se disa biznese lokale janë detyruar të mbyllen më herët, ndërsa banorëve pranë zonave të festimeve u është kërkuar të mbajnë të mbyllura dritaret dhe ballkonet që kanë pamje nga aktivitetet.


Në terren janë vendosur masa të shtuara sigurie, përfshirë zona ku ndalohet fluturimi i dronëve dhe mbi 50 truproja të angazhuar për eventin.

Pavarësisht kritikave, kryebashkiaku i Palermos ka mbrojtur organizimin e dasmës, duke theksuar se një event i tillë sjell promovim ndërkombëtar dhe përfitime ekonomike për qytetin, edhe pse pranoi se kufizimet mund të kenë sjellë shqetësime të përkohshme për banorët.

Dasma, e vlerësuar në rreth 1.5 milion euro, pritet të mbetet një nga ngjarjet më të komentuara të vitit në botën e showbiz-it.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter