Press Online
Është e padiskutueshme se duhet të zhvillojmë dialog me Sofjen dhe të mbajmë takime në nivelin më të lartë, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, pas miratimit të raportit për përparimin e Maqedonisë, të përgatitur nga eurodeputeti dhe raportuesi për vendin në Parlamentin Evropian, Thomas Weitz drejtoi gishtin kah korrupsioni, Mucunski kah Sofja. Për raportin votuan 43 anëtarë të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), 17 votuan kundër, ndërsa 13 abstenuan, informon PressOnline.al.
Lidhur me amendamentet e paraqitura në raport nga eurodeputetët bullgarë, Mucunski vlerësoi se duhet të ketë më shumë takime të nivelit të lartë me palën bullgare, por sipas tij problemi qëndron edhe në faktin se Bullgaria po e shkel Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë.
"Bullgaria, me atë marrëveshje, është zotuar se do ta inkurajojë dhe mbështesë rrugën tonë drejt integrimit evropian, por nuk po e bën këtë. Nëse më pyesni nëse duhet të kemi më shumë takime në nivel të lartë, po, duhet. Javën e ardhshme pres që unë dhe presidentja Siljanovska të jemi në Sofje. Do të marrim pjesë në një ngjarje rajonale ku sërish do të takohemi me kolegët tanë dhe do të bisedojmë. Ne nuk kemi zgjedhje dhe as luksin që, si shtet evropian dhe anëtar i NATO-s, të largohemi nga komunikimi me fqinjët tanë, sado i vështirë të jetë ai komunikim ndonjëherë" – deklaroi Mucunski.
Ndërhyrje të huaja dashakeqe dhe fushata dezinformimi
Përparimi i Maqedonisë së Veriut në reformat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet i pamjaftueshëm, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, reformave në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit, paralajmërojnë anëtarët e AFET-it në raport. Eurodeputetët shprehin mbështetje të plotë për përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj anëtarësimit në BE dhe theksojnë se përparimi në negociatat e anëtarësimit varet nga reforma të qëndrueshme dhe të thella.
Në raportin e miratuar theksohet se polarizimi politik në vend vazhdon të vonojë reformat kyçe dhe u bëhet thirrje partive politike të bashkëpunojnë për avancimin e rrugës evropiane të shtetit.
Eurodeputetët paralajmërojnë se korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe theksojnë hendekun mes hetimeve të publikuara dhe vendimeve përfundimtare gjyqësore në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Ata gjithashtu paralajmërojnë për përpjekje të koordinuara për manipulimin e mjedisit informativ dhe minimin e besimit në institucionet demokratike dhe të ardhmen evropiane të vendit përmes ndërhyrjeve të huaja dashakeqe dhe fushatave të dezinformimit.
"Jam i kënaqur që Komiteti AFET e miratoi raportin për vendin në këtë moment kyç për zgjerimin e BE-së. Vendi ka ndërmarrë kohët e fundit hapa të rëndësishëm reformues dhe është thelbësore që Qeveria të vazhdojë këto përpjekje dhe të mbetet fuqishëm në rrugën drejt integrimit evropian. E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është brenda Bashkimit Evropian" – deklaroi Weitz drejtoi gishtin kah korrupsioni, Mucunski kah Sofja para anëtarëve të Komitetit.
Raporti do të dërgohet më tej për votim në seancën plenare të Parlamentit Evropian.
Amendamentet e miratuara
Versioni i miratuar i raportit, sipas informacioneve jozyrtare, përmban edhe 11 amendamente kompromisi nga gjithsej 403 amendamente të paraqitura në mars, përmbajtja e të cilave ende nuk është publikuar nga Parlamenti Evropian.
Po ashtu, sipas burimeve jozyrtare, janë miratuar edhe dy amendamente të eurodeputetëve bullgarë që kërkojnë rezultate konkrete nga Komisioni Historik me Bullgarinë dhe zbatimin e protokolleve. Bëhet fjalë për amendamentet 371 dhe 374, të cilat i referohen nenit 12 të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë dhe kërkojnë mbajtjen e Komisionit të tretë Ndërqeveritar ndërmjet Shkupit dhe Sofjes, si dhe zbatimin e protokolleve.
Në amendamente theksohet se Komisioni i Përbashkët Historiko-Arsimor nuk është mbledhur që nga korriku i vitit 2022 dhe kërkohet që ai të arrijë “rezultate konkrete”, të bazuara në “burime historike objektive”, “interpretime shkencore” dhe “dokumente autentike”, në përputhje me Protokollin e dytë të Marrëveshjes me Bullgarinë.
Ende nuk dihet nëse amendamenti 108 i raportuesit Vajc është përfshirë në amendamentet kompromisi të miratuara nga AFET. Në të kërkohej që shërbimi juridik i Këshillit Evropian të vlerësonte nëse Protokolli i dytë i Marrëveshjes me Bullgarinë është pjesë e Kornizës Negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në.
Kovaçev: Nuk ka veto nga Bullgaria
Eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev, nga grupi i Partisë Popullore Evropiane, pas mbledhjes së AFET-it deklaroi se është koha që Shkupi të ndalojë përdorimin e termit “fqinji i keq lindor” si justifikim dhe të mos ia kalojë përgjegjësinë Bullgarisë.
"Jam i bindur se në Shkup e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë: të fillojnë zbatimin e Kornizës Negociuese që vetë e kanë pranuar dhe e cila është baza e rrugës së tyre evropiane. Ka ardhur koha të ndalojnë përdorimin e “fqinjit të keq lindor” si justifikim të përshtatshëm dhe të mos e transferojnë përgjegjësinë te Bullgaria. E vërteta është e qartë – nuk ka veto nga Bullgaria. Ekzistojnë kushte evropiane të dakorduara dhe të pranuara nga të gjitha shtetet anëtare, përfshirë vetë Maqedoninë e Veriut. Derisa këto obligime të mos përmbushen, nuk mund të ketë përparim drejt anëtarësimit. Jo për shkak të Bullgarisë, por për shkak të refuzimit të Qeverisë në Shkup për të zbatuar detyrimet që ka marrë përsipër" – deklaroi Kovaçev menjëherë pas votimit të raportit për përparimin e Maqedonisë së Veriut. (PressOnline.al)





