Që javën e ardhshme pritet të mbahet takimi i parë ndërmjet partnerëve qeveritarë, VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, për rindërtimin e Qeverisë. Deri më tani është e sigurt se do të ketë ndryshime te ministrat e VLEN-it, konkretisht te zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, i cili tashmë dy muaj nuk paraqitet në punë në Qeveri, si dhe te ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani, i cili është ndarë nga VLEN.
Rikonstruksioni i Qeverisë do të ndodhë në gjysmën e dytë të këtij muaji dhe nuk do të ishte befasi nëse kryeministri Hristijan Mickoski shpall rifreskimin e kabinetit qeveritar pikërisht në përvjetorin e formimit të Qeverisë, më 23 qershor, bëjnë të ditur për “Sloboden Peçat” burime të larta qeveritare, përcjell PressOnline.al.
Rikonstruksioni do të ndodhë në gjysmën e mandatit të Qeverisë së Mickoskit dhe në varësi të numrit të ministrave që ai do të vendosë t’i zëvendësojë, sipas burimeve nga pushteti mund të kuptohet nëse kryeministri planifikon zgjedhje të parakohshme parlamentare pranverën e ardhshme apo do ta çojë mandatin deri në vitin 2028.
Sipas këtyre burimeve, nëse Mickoski zëvendëson vetëm disa ministra, atëherë zgjedhjet e parakohshme pranverën e ardhshme mbeten të mundshme. Në të kundërtën, nëse tani vendos për një rikonstruksion më të gjerë, kjo do të ishte sinjal se synon zgjedhje të rregullta, pasi nuk do të kishte logjikë të ndërrojë shumë ministra dhe më pas, që nga janari, të formohet qeveria teknike, shkruan Sloboden Peçat, përcjell PressOnline.al.
Sipas informacioneve nga pushteti, që javën e ardhshme mund të mbahet takimi i parë mes VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it për rikonstruksionin. Deri tani është e sigurt se do të ketë ndryshime te ministrat e VLEN-it, përkatësisht te Arben Fetai dhe Fatmir Limani.
Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse largimi i tyre nga pozitat aktuale do të thotë edhe largim nga Qeveria. Për Fetanë, Mickoski tashmë ka paralajmëruar se mund të emërohet përfaqësues special në Bruksel, ndërsa për Limanin spekulohet se mund të mbetet në Qeveri si ministër pa resor, në vend të Shaban Saliut.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse për këtë do të ketë marrëveshje mes partnerëve qeveritarë, pasi VLEN ka deklaruar se në asnjë variant nuk llogarit më te Limani. Mbrëmë, VLEN diskutoi për rikonstruksionin në mbledhjen e parë të Kuvendit Qendror të partisë.
“Në këtë drejtim u hap debat për performancën e bartësve të funksioneve publike, me qëllim që ndryshimet eventuale të kontribuojnë në efikasitet më të madh, përgjegjësi dhe realizim më të shpejtë të obligimeve të marra ndaj qytetarëve”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Nga partia bëjnë të ditur se analiza e tyre ka treguar se janë të kënaqur me punën e ministrave të tyre, me përjashtim të Fetanit dhe Limanit. Sipas tyre, ministrat Bekim Sali, Besar Durmishi dhe Azir Aliu po e kryejnë mirë detyrën, ndërsa Muhamed Hoxha sapo është emëruar ministër i Ekologjisë dhe është herët për të vlerësuar angazhimin e tij.
Vërejtje ka pasur edhe për zëvendësministrat, jo për shkak të mungesës së rezultateve, por sepse nuk kanë qenë mjaftueshëm të promovuar në publik. Sa i përket ndonjë shkëmbimi të resorëve, nga VLEN thonë se do ta pranonin vetëm nëse partneri qeveritar ofron kuadro më cilësore.
Edhe analizat e ZNAM-it kanë treguar se nuk ka nevojë për ndryshime te ministrat e tyre, Igor Filkov në Drejtësi dhe Goran Minçev në Administratë, pasi sipas tyre po e zbatojnë me sukses programin qeveritar.
Qëndrimi i liderit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, në takimin me Mickoskin do të jetë se nuk mbështesin ndryshimin e ministrave të tyre dhe as shkëmbimin e resorëve. Nëse kryeministri konsideron se duhet të ketë ndryshime, ata thonë se do t’i paraqesin argumentet e tyre.
Një pjesë e funksionarëve të VMRO-DPMNE-së nuk e fshehin pakënaqësinë ndaj punës së ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, por kryeministri deri tani nuk është prononcuar për punën e tij.
Nga VMRO-DPMNE konfirmojnë se synojnë të marrin resorin e Shëndetësisë, ndërsa si ministër i ri përmendet drejtori i Spitalit të Përgjithshëm “8 Shtatori”, Sinisha Stojanoski. Gjithashtu është e mundur që VMRO-DPMNE të marrë edhe Ministrinë e Drejtësisë.
Kjo do të nënkuptonte që VLEN dhe ZNAM do të mbeteshin pa dy resorë të rëndësishëm, por ende nuk ka informacione se çfarë do t’u ofrohej në këmbim.
Pothuajse e sigurt është edhe largimi i ministrit të Kulturës, Zoran Ljutkov. Spekulohet gjithashtu për një ndryshim të mundshëm të zëvendëskryeministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq.
Megjithatë, është e sigurt se do të ketë rikonstruksion të Qeverisë. Kryeministri ka deklaruar tashmë se disa funksionarë nuk po japin maksimumin e tyre dhe se u është tërhequr vërejtja që të përmirësojnë punën, përndryshe do të zëvendësohen.
Mickoski ka deklaruar se partia e tij do të paraqitet me analizat dhe propozimet e veta, por do t’i dëgjojë edhe qëndrimet e partnerëve të tjerë të koalicionit qeveritar.
Ai gjithashtu nuk e përjashtoi mundësinë që koalicioni qeveritar të zgjerohet me subjekte të reja politike.
Qeveria e Mickoskit, një vit pas formimit, pësoi ndryshimin e parë kur ministri i Shëndetësisë dhe lideri i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, dha dorëheqje. Taravari u largua nga Qeveria dhe nga VLEN-i pasi vendosi të garojë në zgjedhjet lokale me lista të veta për këshilltarë.
Ministër i ri i Shëndetësisë u bë Azir Aliu. Pas zgjedhjeve lokale dhe zgjedhjes së zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Mjedisit, Izet Mexhiti, për kryetar të Komunës së Çairit, pasuan ndryshime të tjera në kabinetin e Mickoskit.
Bekim Sali u emërua zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, ndërsa Muhamed Hoxha u bë ministër i Mjedisit. Emërimi i Salit nënkuptoi fundin e mandatit të Orhan Murtezanit si ministër për Çështje Evropiane.
Dy vjet pas qeverisjes së Mickoskit nuk ka pasur ndryshime të ministrave nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM. (PressOnline.al)




