Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar praninë e sëmundjes lija e deleve dhe dhive (Sheep Pox/Goat Pox) në një fermë të deleve në fshatin Delloc të Komunës së Suharekës.
Sipas njoftimit të AUV-it, rezultatet e analizave diagnostike të kryera në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë vërtetuar praninë e sëmundjes, pas marrjes së mostrave nga ferma e prekur, njofton Dukagjini.
Menjëherë pas konfirmimit, ekipet e AUV-it në bashkëpunim me veterinerët privatë dhe akterët relevantë kanë ndërmarrë masa për kontrollimin e situatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.
Bazuar në Ligjin për Veterinarinë, Ministria e Bujqësisë përmes AUV-it ka vendosur masa të përgjithshme në nivel vendi për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes.
Ndër masat kryesore të ndërmarra përfshihen ndalimi i lëvizjes së deleve dhe dhive nga fermat, ndalimi i tregtimit dhe shitblerjes së kafshëve të imta në tregje, si dhe vendosja e fermave të prekura në karantinë të plotë, me ndalim të çdo hyrje-daljeje.
Fermerët obligohen të raportojnë menjëherë çdo ndryshim në gjendjen shëndetësore të kafshëve, si dhe të zbatojnë masa të rrepta të biosigurisë. Po ashtu, veterinerët janë të obliguar të ndjekin protokollet për parandalimin dhe luftimin e sëmundjes.
Komunat janë të obliguara të caktojnë lokacionet për groposjen e kafshëve të ngordhura, ndërsa AUV do të vazhdojë me hulumtimin epidemiologjik, marrjen e mostrave dhe testimet laboratorike.
Përjashtimisht, lejohet lëvizja e kafshëve nga fermat e paprekura drejt thertoreve të licencuara, me pëlqim paraprak të inspektorit veterinar të AUV-it.
Gjithashtu, urdhërohen menaxherët e tregjeve që të pezullojnë menjëherë tregtimin e deleve dhe dhive, ndërsa Policia e Kosovës dhe organet komunale, në bashkëpunim me AUV-në, do të mbikëqyrin zbatimin e masave.




