Forumi Ekonomik i Grave (FEG) ka kërkuar nga të gjitha partitë politike që në programet e tyre zgjedhore të përfshijnë pesë prioritete kyçe që lidhen me fuqizimin ekonomik të grave, ligjin e ri të punës, kujdesin social dhe mbështetjen për gratë ndërmarrëse, si dhe që këto kërkesa të adresohen me formimin e qeverisë së re.
Koordinatorja e Forumit Ekonomik të Grave në Kosovë, Saxhide Mustafa, tha në një intervistë për Ekonomia Online se organizatat anëtare të forumit tashmë kanë dalë me një deklaratë publike drejtuar partive politike.
“Forumi ekonomik i grave, si koalicion i organizatave të shoqërisë civile, këto ditë ka dalë me një deklaratë me 5 pika dhe ka kërkuar nga partitë politike zotimin e tyre që në qeverinë e ardhshme të miratojnë ligjin e ri të punës, të investojnë më shumë në çështjet e kujdesit qoftë për fëmijët e qoftë për të moshuarit, institucionalizimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, të krijojnë një grant specifik për financimin e shërbimeve sociale, të rrisin fondin për gratë ndërmarrëse dhe për organizatat e shoqërisë civile të cilat merren me barazi ekonomike dhe barazi gjinore”, tha ajo.
Mustafa tha se ndryshimi i Ligjit të Punës mbetet një nga kërkesat kryesore të Forumit Ekonomik të Grave, duke theksuar se gratë vazhdojnë të përballen me pengesa strukturore në tregun e punës.
“Ka vite që Forumi Ekonomik i Grave është duke avokuar për ndryshimin e ligjit të punës. Ligji aktual i punës i cili që tetë vite është në amendamentim apo kërkon një ndryshim të plotë për arsye se ky ligj kërkon një reformë të gjerë për të evidentuar apo për t’i adresuar disavantazhet strukturore të cilat gratë i hasin në tregun e punës. Aktualisht pra, vetëm rreth 25% e grave janë pjesëmarrëse në tregun e punës, janë aktive në tregun e punës, ndërsa 74% e grave mbesin jashtë tregut të punës. Prandaj, hulumtimet tregojnë se pjesëmarrja e grave në tregun e punës do të rriste, do të ndikonte në rritjen e bruto produktit vendor, do të rriste ekonominë e Kosovës sepse kjo nuk është vetëm një barazi sociale që ne po kërkojmë në tregun e punës, po është një zhvillim ekonomik që ndikon në gjithë vendin. Prandaj kjo është e domosdoshme që ky ligj më në fund ta merr adresimin e tij në qeverinë e ardhshme”, tha ajo.
Ajo kërkoi po ashtu rritje të mbështetjes financiare për gratë ndërmarrëse, duke theksuar se investimi në bizneset e grave ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe punësimin e grave të tjera.
“Rritja e fondit, aktualisht kemi vetëm rreth 20% e grave të cilat zotërojnë apo janë pronare të bizneseve. Është shumë e nevojshme që gratë ndërmarrëse të rriten, sepse ato kanë predispozita që të punësojnë më shumë gra. Për të adresuar këtë, ne kemi kërkuar që fondet të rriten edhe më tutje sepse investimi në ndërmarrësinë e grave do të nënkuptonte, nga ana tjetër, zhvillim ekonomik. Ato nevojat e tyre për rritje i kanë jo vetëm në investime në financim, në pajisje të ndryshme, gjithashtu në digjitalizimin e tyre për të shpejtuar proceset, po ashtu në qasjen në pronë. Ne e dimë që gratë nuk kanë prona dhe kjo është një prej barrierave kryesore që ato e hasin si gra ndërmarrëse. Gjithsesi duhet të investohet në rritjen e tyre sepse tanimë kemi ne disa gra ndërmarrëse të cilat janë duke performuar mirë, mirëpo faza e rritjes është mjaft komplekse. Investimi në këtë fazë të rritjes për to është shumë i rëndësishëm dhe sigurisht që të gjitha këto komponente do të ndikonin që qasja e tyre në tregje dhe ngritja e standarE madhee do të ishte në benefit jo vetëm të tyre si ndërmarrëse, por edhe për punësimin e shumë grave të tjera, po në benefite të gjithë vendit, në zhvillimin e gjithë vendit”, tha ajo.
Mustafa tha se ligji i ri i punës duhet të përfshijë edhe politika moderne të balancimit mes jetës dhe punës.
“Mos të mbetem pa thënë se ligji i punës është një prej çështjeve më të rëndësishme. Taksapaguesit në Kosovë meritojnë një ligj të denjë, jo vetëm në dispozitat që ne i kemi diskutuar për një kohë të gjatë (dispozitat e lejes së lehonisë, lejes së atësisë dhe lejes prindërore), mirëpo edhe orarit fleksibil që në ditët e sotme është shumë i kërkuar. Prandaj ne kërkojmë që sa i përket ligjit të punës të ketë transpozim të direktivës së BE-së për balancimin punë-jetë dhe politika të përgjegjshme gjinore në vendin e punës. Sot janë të domosdoshme”, tha ajo.
Sipas saj, mungesa e shërbimeve të kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit mbetet një nga barrierat kryesore që i lë gratë jashtë tregut të punës.
“Është shumë me rëndësi domethënë që barrierat që gratë i lënë jashtë tregut të punës na lidhen edhe me çështjen e kujdesit. Çështja e kujdesit sot nuk janë vetëm mungesa e çerdheve për fëmijët e vegjël dhe ata parashkollorë, por gjithsesi edhe për të moshuarit është. Me regjistrimin e fundit të popullsisë, ne e kemi parë që mosha 65+ është në rritje në Kosovë, ndërsa në anën tjetër nuk kemi qendra të kujdesit për pleq. Prandaj investimi në një rrjet kombëtar të kujdesit në Kosovë, sipas hulumtimeve të organizatave të shoqërisë civile, anëtare të Forumit Ekonomik të Grave, del se do të punësonte rreth 22 mijë gra. Prandaj ky është një cikël që kërkon angazhim të madh, investim nga qeveria, sepse Kosova nuk ka përvojë në çështjet e kujdesit për të moshuarit dhe kjo kërkon një cikël të tërë të investimit, të certifikimit të këtij personeli që do të punonin në këto qendra”, tha ajo.
Ajo theksoi se institucionalizimi i buxhetimit të përgjegjshëm gjinor mbetet në nivel të ulët të zbatimit, pavarësisht zotimeve të qeverisë.
“Më tutje, institucionalizimi i buxhetimit të përgjegjshëm gjinor ka kohë që Forumi Ekonomik i Grave e ka ngritur këtë çështje. Pavarësisht që qeveria e Kosovës është zotuar për këtë, kjo mbetet ende në një nivel shumë të ulët të implementimit. Prandaj sa më shumë që ndahen fonde të përgjegjshme gjinore, atëherë edhe për gratë do të ishte më e lehtë kjo. Ato investime do të ndikonin në këto qendra të kujdesit, do të ndikonin në transport të rregulluar, do të ndikonin edhe në kushte të tjera që i hasin jo vetëm gratë por edhe burrat në tregun e punës. Prandaj taksapaguesit janë ata që po e mbushin buxhetin. Paratë e tyre duhet të kthehen në të mirën e tyre dhe këto investime, edhe këto kërkesa tona, bazohen kryesisht në këto çështje”, tha ajo.
Mustafa tha se qeveria e ardhshme duhet të veprojë me urgjencë për të adresuar çështjet sociale dhe ekonomike që po ndikojnë edhe në emigrimin e të rinjve.
“Shikoni, neve nuk është që ne kemi pasur si të themi gatishmëri me na dëgju. Përderisa nuk janë mrri kërkesat tona. Por ajo nuk ka mjaftuar. Prandaj ne presim, besojmë që është një momentum që më nuk kemi kohë për të vonuar. Ne jemi duke u përballur me një dekadë e cila deri në fundin e të cilës i kemi edhe tre vjet e gjysmë, edhe jemi ballafaqu me një pandemi, tani jemi me një jostabilitet politik themi në Kosovë. Prandaj edhe amendamentimi i ligjeve, edhe prurja e ligjeve të reja siç është ligji për sigurime shoqërore, fondi për sigurime shoqërore, është një domosdoshmëri. Në Kosovë, ne jemi shumë vonë. Prandaj qeveria e ardhshme duhet me hapa të shpejtë t’i adresojë të gjitha këto çështje për të ndaluar edhe emigrimin e të rinjve dhe të rejave jashtë vendit, sepse tani nuk emigrohet vetëm për një pagë, por emigrohet edhe për kushte të tjera. Qoftë të kujdesit, qoftë të shëndetësisë, të edukimit. Prandaj kjo është një thirrje publike që ne si forum ekonomik jemi duke e adresuar në këto 5 pika të cilat ndërlidhen njëra me tjetrën”, tha ajo.
Forumi Ekonomik i Grave është koalicion i organizatave të shoqërisë civile ku bëjnë pjesë Instituti Riinvest, Rrjeti i Grave të Kosovës, Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase, Kosova-Women 4 Women, Instituti GAP, Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA)./EO




