Një nga automjetet më të lidhura me historinë moderne të familjes mbretërore britanike pritet të tërheqë vëmendje të madhe në ankand. Jaguar-i luksoz që transportoi Princeshën Diana në mbrëmjen ikonike të vitit 1994, kur ajo veshi të famshmin “revenge dress”, do të nxirret së shpejti në shitje. Bëhet fjalë për një Jaguar XJ40 Sovereign me ngjyrë jeshile të errët, i cili u përdor nga Diana gjatë viteve të fundit të jetës së saj mbretërore. Automjeti iu dorëzua Pallatit Kensington në vitin 1994 dhe shërbeu si mjet transporti personal i princeshës deri në vitin 1997.
Makina u bë pjesë e një prej momenteve më të komentuara të viteve ’90, kur Diana mbërriti në Galerinë Serpentine në Londër e veshur me fustanin elegant të zi nga stilistja Christina Stambolian. Dalja e saj ndodhi menjëherë pasi Princi Charles kishte pranuar publikisht tradhtinë, duke e kthyer atë paraqitje në simbol force, elegance dhe pavarësie.
Sipas mediave britanike, Jaguar-i ruan ende disa detaje origjinale nga periudha kur përdorej nga princesha, përfshirë sistemin për flamurin mbretëror dhe një telefon Motorola të integruar me funksion sigurie. Automjeti pritet të dalë në ankand më 1 qershor, ndërsa ekspertët vlerësojnë se çmimi i tij mund të arrijë nga 50 mijë deri në 150 mijë paund, falë lidhjes së drejtpërdrejtë me një nga momentet më ikonike të Princeshës Diana. Edhe pas më shumë se tre dekadash, “fustani i hakmarrjes” dhe nata kur Diana sfidoi publikisht narrativën mbretërore vazhdojnë të mbeten pjesë e historisë së kulturës pop dhe modës botërore.
Ai që sot rekomandohet nga ekspertët e ushqyerjes si një nga mëngjeset më të shëndetshme, ishte gjithashtu i preferuari i Princeshës Diana. Bëhet fjalë për tërshërë me fruta, të lënë në frigorifer gjatë natës. Ish-kuzhinieri mbretëror Darren McGrady, ka zbuluar në një video në YouTube me titull “Princess Diana’s Overnight Oats”, se Diana preferonte ta niste ditën me versionin zviceran të kësaj recete, të njohur si “muesli Bircher”.
Sipas McGrady, i cili ka gatuar për Dianën disa herë në ditë në Kensington Palace që nga viti 1993, princesha e zbuloi këtë mëngjes gjatë qëndrimit të saj në një klinikë shëndetësore në Zvicër. “Ajo ishte e mahnitur dhe tha: ‘Dua ta ha këtë çdo mëngjes’”, tregon McGrady. Ai shpjegoi se e mori recetën origjinale nga shpikësi i “mueslit Bircher”, Maximilian Oskar Bircher-Benner, i cili e kishte krijuar rreth vitit 1900 për sanatoriumin e tij “Forca e Gjallë”. McGrady e modifikoi vetëm pak dhe ia shërbente princeshës çdo mëngjes.




