Të mos e humbim shansin për Bashkimin Evropian dhe të bashkohemi rreth çështjes më të rëndësishme për vendin. Me këtë mesazh, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, i bëri thirrje pushtetit për bashkëpunim në procesin e ndryshimeve kushtetuese.
Sipas Filipçes, ndryshimet kushtetuese duhet të jenë rezultat i konsensusit politik, ndërsa përgjegjësia për këtë proces duhet të ndahet mes pushtetit dhe opozitës. Ai iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Hristijan Mickoski, duke kërkuar që të ulen në një tryezë të përbashkët dhe të mos lejojnë që Maqedonia të mbetet e izoluar, përcjell PressOnline.al.
Nga LSDM vlerësojnë se, nëse vendi nuk e shfrytëzon këtë moment, rrezikon të hyjë në pasiguri më të madhe politike dhe ekonomike, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe me vazhdimin e largimit të të rinjve nga vendi.
“Apeloj deri te kryeministri Hristijan Mickoski që së bashku ta marrim dhe ta ndajmë përgjegjësinë për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, si dhe për rrjedhën e mëtejshme të negociatave dhe çdo sfidë me të cilën do të përballemi. Duhet të ulemi bashkë në tryezë të gjithë faktorët politikë, sepse kjo është rruga e vetme për përparimin e vendit. Nuk ekziston rrezik për asnjë përcaktim identitar. Apeloj që t’i thotë presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, se do ta bëjmë hapin e ardhshëm dhe do t’i miratojmë ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Në kampet politike, tema e eurointegrimeve, ndryshimeve kushtetuese dhe agjendës reformuese mbetet një nga çështjet më të nxehta. Akuzat dhe kundërakuzat mes pushtetit dhe opozitës vazhdojnë, ndërsa secila palë e paraqet ndryshe situatën në procesin evropian.
Nga pushteti thonë se Maqedonia po përparon dhe se institucionet evropiane e kanë evidentuar këtë. Kryeministri Hristijan Mickoski thekson se vendi ka marrë më së shumti mjete nga Bashkimi Evropian në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Nga LSDM, nga ana tjetër, akuzojnë se Qeveria po mburret me mjete që i marrin edhe vendet e tjera kandidate të Ballkanit, me përjashtim të Serbisë, por nuk tregon se sa mjete ka humbur shteti për shkak të vonesave në reforma dhe në procesin eurointegrues.
“Tani vijon raporti i qershorit, në fund të muajit qershor. Kemi komunikim intensiv me zotërin Gert Jan Koopman, po punojmë në të gjitha portofolet brenda Qeverisë. Pres që këtë pozitë ta konfirmojmë edhe pas raportit të qershorit dhe që këto 30-31 milionë euro, të cilat janë mbështetje direkte buxhetore, deri në fund të vitit t’i afrohen shifrës prej 100 milionë eurosh”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Maqedonia ka afat deri në qershor për t’i përmbushur reformat e lidhura me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, me qëllim që të sigurojë qasje në mjetet financiare. Fokusi është vendosur në fusha kyçe si gjyqësori, energjetika, arsimi dhe administrata publike.
Megjithatë, kushti kryesor politik mbetet hapja e Kushtetutës dhe përfshirja e pakicave në të. Pa këtë hap, rruga e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian nuk mund të vazhdojë. Në këtë pikë mbetet dilema kryesore politike: a do të arrijnë pushteti dhe opozita të bashkohen rreth ndryshimeve kushtetuese, apo vendi do të vazhdojë të qëndrojë para dyerve të BE-së pa mundësi për të ecur përpara. (PressOnline.al)



