Shkruan: Xhabir Deralla
Kryetar i CIVIL – Qendra për Liri
Kryeredaktor i CIVIL MEDIA
Cilët hapa të thjeshtë, të arsyeshëm dhe menjëherë të zbatueshëm mund t’i ndërmarrin pushteti, institucionet dhe kompanitë e mëdha për t’ua lehtësuar gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale qytetareve dhe qytetarëve në këtë vend tashmë të varfër?
Pyetja nuk është teorike. Nuk është as ideologjike. Ajo është çështje e mbijetesës së përditshme. Njerëzit gjithnjë e më vështirë i paguajnë faturat, gjithnjë e më shpesh i shtyjnë kontrollet mjekësore, hyjnë në borxhe për nevojat bazë, frikësohen nga përmbaruesit, nga ndërprerja e rrymës, ujit, telefonit ose internetit, nga humbja e kulmit mbi kokë. Familjet kursejnë nga ushqimi, barnat, arsimi, ngrohja, transporti… dhe dinjiteti.
Në këtë gjendje të rëndë, në të cilën ndodhet një pjesë e madhe e popullsisë, shteti nuk guxon të sillet si publikët e pashpirt romakë, ndërsa kompanitë e mëdha nuk guxojnë të sillen sikur jetojnë jashtë shoqërisë nga e cila fitojnë. Kur njerëzit janë të shtyrë deri në mur, çdo taksë, çdo kamatë, çdo afat, çdo gjobë dhe çdo faturë bëhet çështje politike, ekonomike dhe morale.
Prandaj, ky nuk është thirrje për lëmoshë. Ky është apel për minimum arsye, përgjegjësie dhe solidariteti. Pushteti, institucionet dhe kompanitë kanë hapësirë të bëjnë shumë, dhe këtë mund ta bëjnë shpejt, konkretisht dhe pa spektakle PR-i, sepse kjo është detyra e tyre.
SHËNDETËSIA DHE FARMACIA
Pushteti duhet t’i subvencionojë plotësisht shërbimet themelore shëndetësore për qytetarët, me zero participim, veçanërisht për njerëzit me të ardhura të ulëta, të sëmurët kronikë, pensionistët, fëmijët, prindërit vetushqyes dhe të papunët. Shëndeti nuk guxon të jetë luks në një shtet social. Askush nuk duhet të shtyjë kontrollin mjekësor, terapinë, analizat laboratorike apo diagnostikimin vetëm sepse nuk ka para.
E njëjta duhet të vlejë edhe për barnat. Shteti duhet t’i subvencionojë barnat e domosdoshme, sidomos për qytetarët socialisht të cenueshëm dhe për personat me sëmundje kronike. Për ata që çdo muaj zgjedhin mes produkteve ushqimore bazë, faturave dhe shëndetit, mjekimi duhet të jetë falas. Shëndeti nuk guxon të varet nga ajo nëse dikush ka para në xhep ditën kur sëmuret.
Një sistem që i detyron njerëzit e varfër të zgjedhin mes bukës dhe barnave nuk është sistem shëndetësor, por mekanizëm i padrejtësisë së ashpër sociale.
STUDENTËT
Pushteti duhet urgjentisht ta përmirësojë standardin studentor. Studentët duhet të vendosen në hotele dhe kapacitete të tjera të përshtatshme, me shpenzime të shtetit, derisa të sanohen dhe rinovohen konviktet studentore.
Shfaqja e minjve, mungesa e ujit të ngrohtë, ashensorët jofunksionalë, vonesa e bursave dhe qasja e papërgjegjshme e institucioneve nuk janë incidente të izoluara, por pasqyrë e neglizhencës sistematike ndaj të rinjve. A duhet vërtet të shpjegohet posaçërisht se studentët nuk guxojnë të jetojnë në kushte të pasigurta, johigjienike dhe të padenja?
Institucionet përgjegjëse duhet menjëherë të shpallin afate konkrete për sanim, plan të qartë për rinovim, transparencë publike për shpenzimet dhe pagesë me kohë të bursave. Standardi studentor nuk është zë dytësor në buxhet, por investim në të ardhmen e vendit.
TË DREJTAT E PUNËTORËVE, PËRGJEGJËSIA DHE SOLIDARITETI I KOMPANIVE
Ofruesit e mëdhenj të shërbimeve mund të tregojnë përgjegjësi dhe solidaritet me përdoruesit e tyre. Operatorët telefonikë, ofruesit e internetit, kompanitë e energjisë elektrike dhe ujësjellësit mund t’i ulin çmimet e shërbimeve, t’i zgjasin afatet për pagesën e faturave të prapambetura dhe të mos arkëtojnë përsëri për rilidhje.
Kompanitë duhet të ndërmarrin hapa të vërtetë drejt përgjegjësisë shoqërore. Kjo nënkupton mbështetje për organizatat qytetare, mediat e pavarura dhe interesin publik, sinqerisht, pa kalkulime, pa filtra politikë dhe pa diskriminim.
Kompanitë, veçanërisht ato më të mëdha, duhet të tregojnë respekt dhe përgjegjësi ndaj të punësuarve: pagesë të rregullt të pagave, respektim të të drejtave të punëtorëve, marrëveshje të drejta, fleksibilitet për prindërit dhe personat me probleme shëndetësore, si dhe mbështetje për punëtorët më pak të paguar.
ÇMIMET NË SUPERMARKETE
Supermarketet duhet të tregojnë përmbajtje dhe përgjegjësi: të mos i rrisin çmimet pa arsye reale dhe, sa herë që është e mundur, të sigurojnë zbritje. Shteti, nga ana tjetër, duhet ta ulë dhe ta ngrijë çmimin e produkteve ushqimore bazë, si dhe të produkteve për kujdesin dhe ushqimin e foshnjave.
Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet produkteve që i blejnë pothuajse çdo ditë të gjitha amvisëritë: buka, qumështi, vaji, mielli, vezët, orizi, makaronat, mishi, perimet, frutat, produktet bazë higjienike, mjetet për pastrim, pelenat, ushqimi për foshnja dhe produktet e tjera të domosdoshme.
Shteti duhet të vendosë monitorim të rregullt të çmimeve dhe marzhave për produktet bazë, me të dhëna publike dhe sanksione për keqpërdorime, zbritje të rreme dhe rritje të pajustifikuara të çmimeve.
AKCIZAT
Pushteti duhet realisht t’i ulë akcizat për karburantet, e jo ta kthejë këtë në porosi marketingu pa efekt të vërtetë për qytetarët. Karburantet ndikojnë në çmimet e transportit, ushqimit, shërbimeve dhe pothuajse të gjitha shpenzimeve të jetës së përditshme.
Ulja e akcizave duhet të jetë reale, e matshme dhe e përcaktuar qartë në kohë, me detyrim që efekti të përcillet deri te përdoruesit e fundit. Nëse shteti heq dorë nga një pjesë e të ardhurave, ndërsa çmimet mbeten pothuajse të njëjta për shkak të marzhave, ndërmjetësve apo manipulimeve, atëherë qytetarët sërish do të mashtrohen.
LEHTËSIMI I PROCEDURAVE
Shteti duhet t’i thjeshtojë rrënjësisht procedurat për qasje në ndihmë sociale, mbështetje shëndetësore, kujdes nga person i tretë dhe të drejta të tjera që qytetarëve u takojnë në letër. Të marrësh ndihmë shtetërore për kujdes nga person i tretë sot është përpjekje sizifiane: komisione, dokumente, pritje, burokraci dhe poshtërim.
Duhet të nisemi nga një rregull i thjeshtë: nëse institucioni tashmë e posedon një të dhënë, qytetari nuk ka pse ta sjellë përsëri në letër nga një institucion tjetër. Certifikatat, vërtetimet, dokumentet pronësore, të dhënat nga librat amë, DAP-i, kadastra, fondet dhe ministritë duhet të shkëmbehen ndërmjet institucioneve, e jo të kthehen në barrë për qytetarët.
PAKET SOLIDAR
Komunat mund të krijojnë fonde lokale për ndihmë urgjente për familjet në rrezik – për fatura të papaguara, mjekim, shpenzime shkollore, ngrohje, ushqim, transport ose banim të përkohshëm.
Kjo nuk duhet të jetë lëmoshë e njëhershme, as ndarje partiake ose parazgjedhore e ndihmave, por masë e qartë, transparente dhe e kufizuar në kohë për njerëzit që më së vështiri i përballojnë goditjet e çmimeve. Ndërhyrjet e vogla, të thjeshta dhe të shpejta mund të parandalojnë tragjedi të mëdha njerëzore.
TRANSPORT PUBLIK DHE PRIVAT I SUBVENCIONUAR
Shteti dhe komunat duhet ta subvencionojnë transportin publik, privat dhe ndërurban për nxënësit, studentët, pensionistët, të papunët dhe njerëzit me të ardhura të ulëta. Shpenzimi për transport është barrë serioze për shumë familje, sidomos për ata që çdo ditë udhëtojnë në punë, shkollë, fakultet, te mjeku ose në institucione.
Transporti nuk është luks, por kusht për qasje në arsim, punë, mbrojtje shëndetësore dhe shërbime bazë.
RIPROGRAMIMI I BORXHEVE DHE KUFIZIMI I SHPENZIMEVE TË PËRMBARIMIT
Nevojitet masë urgjente për vendosjen e një minimumi të mbrojtur të të ardhurave që nuk guxon të jetë objekt përmbarimi. Edhe kur ka borxhe, njeriu duhet të ketë mjete për ushqim, barna, fatura dhe jetë dinjitoze.
Duhet të kufizohen kamatat, kamatat ndëshkuese dhe shpenzimet e përmbarimit. Shpesh borxhi kryesor është më i vogël se shpenzimet që grumbullohen rreth tij. Kjo i shtyn njerëzit në një spirale borxhesh nga e cila vështirë dilet.
ULJA E TVSH-së
Duhet të ulet TVSH-ja për produktet dhe shërbimet bazë, sidomos për ushqimin, produktet higjienike, barnat, materialet shkollore, produktet për foshnja dhe energjentët për amvisëritë. Kjo nuk guxon të jetë masë kozmetike që do të humbet në marzhat e tregtarëve, por ulje reale që qytetarët do ta ndiejnë menjëherë, në arkë dhe në fatura.
Në një vend të varfër, shteti nuk guxon të fitojë më së shumti pikërisht nga nevojat themelore të njerëzve.
ULJA E DETYRIMEVE PËR NDËRMARRJET E VOGLA DHE TË MESME
Pushteti duhet t’i ulë detyrimet për të punësuarit në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërsa në sektorët më të cenueshëm t’i heqë përkohësisht plotësisht. Me këtë do të lehtësohej gjendja e punëdhënësve, do të zvogëlohej presioni mbi pagat dhe do të dekurajohej ekonomia gri, pagesa në dorë dhe puna e padeklaruar.
Nëse shteti dëshiron ekonomi formale, duhet ta bëjë punën formale të mundshme, të leverdishme dhe të drejtë.
VULLNET POLITIK, NJË VENDIM QEVERITAR, NJË SEANCË KUVENDI – DHE JETA DO TË BËHET MË E LEHTË QË ATË DITË
E gjithë kjo nuk duhet të jetë masë për reklamë politike, por masë për lehtësim ekonomik. Qytetarët nuk jetojnë nga komunikatat qeveritare, por nga ajo se sa para u mbeten pasi të paguajnë ushqimin, faturat, transportin, barnat dhe karburantin.
Me këto dhe masa të ngjashme, pushteti dhe kompanitë e mëdha do të tregojnë se kanë ndjeshmëri për vështirësitë me të cilat përballen njerëzit. Efekti nuk do të jetë vetëm social. Ekonomia do të lëvizë, tatimet, edhe pse të ulura, do të fillojnë të paguhen më rregullisht, do të zvogëlohet ekonomia gri, ndërsa buxheti shtetëror do të fitojë bazë tatimore më të gjerë dhe më të qëndrueshme.
Të mos gënjejmë veten: për shumicën e këtyre masave nuk nevojiten vite strategjish, komisione të pafundme, debate dhe “analiza të thelluara”. Nevojitet vullnet politik, një vendim qeveritar, një procedurë urgjente parlamentare dhe një ditë që shteti të bëjë diçka që menjëherë – po atë ditë – do t’ua lehtësojë jetën njerëzve.
Edhe një herë: ky nuk është kërkim lëmoshe. Ky është apel për mendje të shëndoshë ekonomike. Mbani mend, ka edhe nesër. Nuk është e nevojshme t’i fitoni të gjitha paratë sot, sidomos jo mbi kurrizin e njerëzve që mezi mbijetojnë. Më pak presion mbi qytetarët sot mund të nënkuptojë buxhet më stabil, kompani më të qëndrueshme dhe shoqëri më rezistuese nesër.
Hajde, patriotë, nëse ju ka: bëni diçka të mirë për shtetin, lehtësojani jetën njerëzve. (CivilMedia)



