Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ritheksuar përkushtimin ndaj ushtrimit të pavarur, profesional dhe të paanshëm të mandatit të saj, në funksion të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së interesit publik.
Në një reagim publik, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ajo dhe kryeprokurori Blerim Isufaj nuk komentojnë deklarata me karakter politik, sidomos kur ato, sipas tyre, janë të pavërteta dhe nuk mbështeten në fakte apo procedura zyrtare institucionale.
“PSRK vlerëson se besueshmëria, integriteti institucional dhe profesional ndërtohen mbi punën, transparencën, llogaridhënien dhe respektimin e ligjit, e jo mbi deklarata politike”, thuhet në reagim.
Tutje, Prokuroria Speciale ka theksuar se do të vazhdojë ushtrimin e kompetencave të saj në mënyrë të pavarur dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.



