Po ulen çmimet e grumbullimit, materialet riprodhuese po shtrenjtohen, mungon strategjia bujqësore, ndërsa ndryshimet klimatike po i zvogëlojnë rendimentet, këto janë vetëm disa nga problemet për të cilat alarmojnë bujqit.
Në tremujorin e parë të vitit 2026, te grumbullimi i produkteve bujqësore nga prodhuesit individualë është shënuar rënie prej 46,2 për qind, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikave. Kjo shifër, sipas bujqve, është një alarm i vërtetë se në vend ka gjithnjë e më pak njerëz të interesuar të punojnë tokën.
Gjorgji Karakashev, kryetar i Rrjetit Kombëtar Bujqësor, në një prononcim për Sloboden Peçat thotë se në bujqësi ekzistojnë probleme të shumta, ndërsa siç shprehet ai, “shembull plastik është ajo që po ndodh në Koçan”, përcjell PressOnline.al.
“Orizi u mbeti pa u shitur, ndërsa kultivuesit e orizit nga Koçani mbetën të zhytur në borxhe. A e dini sa të rinj nga Koçani kanë shkuar për të punuar në Kroaci? E çfarë të bëjnë? Kanë prodhuar ushqim, nuk mund ta shesin, kanë bërë shpenzime, madje edhe janë futur në borxhe, të cilat duhet t’i kthejnë”, thotë Karakashev.
Karakashev thotë se ka më shumë arsye pse të rinjtë tanë po i lënë arat dhe po largohen jashtë vendit.
“Rënia e prodhimit vendor vjen si pasojë e uljes së çmimeve të grumbullimit dhe uljes së likuiditetit të bujqve, si dhe mosrespektimit të marrëveshjeve për grumbullim. Këtu janë edhe ndryshimet klimatike, të cilat po bëhen gjithnjë e më të theksuara. Problem është edhe mungesa e strategjisë shtetërore në sektorin e bujqësisë. Por ndoshta problemi më i madh janë manipulimet e tregtarëve. Ja, sa për ilustrim, patatja në Strumicë sot grumbullohet me çmim prej 20 denarësh, ndërsa në tregun e Shkupit sigurisht nuk gjendet nën 50 denarë. Sa marzhë është kjo?! Për t’i parandaluar këto dukuri kemi edhe Ligjin kundër praktikave të padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit me produkte bujqësore dhe ushqimore. Por ai nuk respektohet. Në këtë drejtim duhet të shohim kontrolle më të fuqishme inspektuese, sepse çmimin e paguajmë të gjithë, edhe ne bujqit, edhe ju blerësit”, shpjegon Karakashev për Sloboden Peçat, përcjell PressOnline.al.
Risto Velkov nga Agrosojuz në Strumicë thotë se ndryshimet klimatike po i ulin rendimentet, por problemi më i madh është se në bujqësi po mbeten vetëm të moshuarit, në mungesë të një strategjie të përshtatshme bujqësore që do t’i motivonte bujqit e rinj.
“Mosha mesatare në bujqësi është e lartë, por ne nuk mund të punojmë si të rinjtë, ndërsa të rinjtë po e braktisin vendin. Problemi më i madh është se nuk ka strategji për bujqësinë. Asnjë ministër deri më tani nuk i ka ditur problemet e bujqve, sepse janë njerëz nga fusha të tjera. Politika e dikton të vetën dhe kështu arat mbeten të papunuara”, thotë Velkov.
Ai thekson se probleme ka edhe në pagesën e subvencioneve, por edhe në rritjen e çmimit të materialeve riprodhuese, gjë që kërkon investime më të mëdha nga prodhuesit bujqësorë.
Bujqit me të cilët biseduam theksojnë se Maqedonia në masë të madhe është e varur nga importi i ushqimit, qoftë nga prodhimi bimor apo nga ai blegtoral. Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë gjithnjë e më zëshëm deklaron se është e fokusuar në rritjen e këtij prodhimi, veçanërisht të produkteve strategjike bujqësore.


