Fëmijët dhe të rinjtë nuk janë plotësisht të mbrojtur dhe ka ende shumë për të bërë, si në aspektin familjar, ashtu edhe në nivel institucional. Nevojitet vigjilencë më e madhe dhe ndjekje e ndryshimeve në sjelljen e fëmijëve dhe të rinjve, me qëllim zbulimin e hershëm dhe parandalimin e dhunës. Këtë e tregon raporti vjetor i SOS-linjës +389 70 390 632 për fëmijë dhe të rinj “Alo, Bushavko” për vitin 2025, theksoi sot në konferencë për media Zharko Zmijanac, ushtrues detyre drejtor operativ i Ambasadës së Parë të Fëmijëve “Megjashi”, përcjell PressOnline.al.
Operatorja e linjës gjatë vitit 2025, Mila Damjanovska, tha se janë regjistruar 284 paraqitje, të pranuara përmes kanaleve të ndryshme të komunikimit. Prej tyre, 227 kanë qenë përmes telefonit, 22 përmes SMS-porosive, 15 përmes emailit, ndërsa 3.5 për qind përmes “Viber”-it. Në numrin më të madh të paraqitjeve, përkatësisht 30 për qind ose 83 raste, si arsye kryesore është përmendur shëndeti mendor. Bëhet fjalë për frikë, shqetësim, si dhe mendime vetëvrasëse dhe tentativa për vetëvrasje, të cilat kanë qenë më të shpeshtat në këtë kategori, me nga 19 raste.
“Është shumë shqetësuese që kemi pasur paraqitje nga 19 fëmijë që kanë pasur mendime vetëvrasëse ose kanë tentuar t’i japin fund jetës. Kjo është alarm për të gjithë shoqërinë dhe tregon nevojën për reagim në kohë, mbështetje të vazhdueshme dhe vëmendje më të madhe ndaj gjendjes psikike të fëmijëve dhe të rinjve. Në raste të tilla duhet të ndërhyjnë shkollat, prindërit dhe personat që janë më shpesh pranë fëmijëve dhe mund t’i dallojnë simptomat kur fëmija nuk sillet si zakonisht. Këto shenja mund të jenë humbja e interesit për aktivitetet e përditshme, izolimi, frika, trishtimi ose shprehja e ndjenjës së pashpresës. Këto janë shenjat e para që duhet t’i njohin të rriturit, të ndërhyjnë dhe t’u japin fëmijëve hapësirë për të folur për problemet dhe shqetësimet e tyre”, tha Damjanovska.
Nga numri i përgjithshëm i paraqitjeve, 64 kanë qenë për marrëdhëniet familjare, prej të cilave 48 kanë të bëjnë me raportet me prindërit. Në këto raste bëhej fjalë për konflikte mes prindërve dhe fëmijëve ose për prindër që ndodheshin në procedurë divorci. Gjithashtu, 57 paraqitje kanë qenë për lëndime, prej të cilave 22 për dhunë fizike, nëntë për neglizhencë të prindërve ndaj fëmijëve, ndërsa tetë për bullizëm. Nga numri i përgjithshëm, 39 paraqitje kanë qenë për qasje në arsim, nevoja socio-ekonomike dhe të drejta të tjera të garantuara për fëmijën, të cilat ai nuk ka mundur t’i realizojë. Ndërkaq, 18 raste kanë qenë të lidhura me mjedisin shkollor, përfshirë probleme me materialin mësimor, marrëdhëniet me kuadrin shkollor ose marrëdhëniet ndërmjet bashkëmoshatarëve.
“Kishim 172 paraqitje nga maqedonas, 19 nga shqiptarë, 11 nga romë, ndërsa 79 persona nuk e kanë deklaruar përkatësinë etnike. Ka pasur përfaqësim të barabartë mes djemve dhe vajzave. Djemtë përbëjnë 108 raste ose 39 për qind, ndërsa vajzat 102 raste ose 36 për qind. Për 68 raste nuk dihej gjinia, pasi mesazhet ishin dërguar përmes ‘Viber’-it. Më shpesh janë paraqitur fëmijë të moshës 10 deri në 12 vjeç, me 38 raste, më pas të moshës 13 deri në 15 vjeç, me 33 raste, dhe të moshës shtatë deri në nëntë vjeç, me 27 raste. Për djemtë nga mosha shtatë deri në 15 vjeç më shpesh kanë telefonuar prindërit e tyre, ndërsa vajzat më shpesh janë paraqitur vetë, kryesisht në moshën 13 deri në 25 vjeç. Kishim edhe paraqitje nga fëmijë që u përkasin grupeve të cenueshme, të cilëve u dhamë mbështetje”, theksoi Damjanovska.
Ekspertja për mbështetje psikosociale të fëmijëve, Jordanka Çerepnalkova-Trajkoska, tha se arsyeja më e shpeshtë për të cilën fëmijët paraqiten është shëndeti mendor, i cili, sipas saj, duhet të jetë prioritet sistemor, jo vetëm i psikologëve, por i gjithë shoqërisë.
Ajo tha se kur një fëmijë është i ekspozuar ndaj poshtërimit online, ai jo vetëm që përjeton sulm, por humb edhe ndjenjën e përkatësisë, nuk mund të gjejë vendin e tij dhe një hapësirë të sigurt. Kjo mund të çojë në ankth, tërheqje sociale, ulje të vetëbesimit dhe, në disa raste, edhe në mendime vetëvrasëse.
“Dhuna digjitale duhet të trajtohet njësoj si dhuna fizike. Arsimi duhet të përfshijë shkrim-leximin emocional dhe digjital, ndërsa më e rëndësishmja është të krijojmë të rritur që dëgjojnë me mirëkuptim”, shtoi Çerepnalkova-Trajkoska.
Aktive është edhe SOS-linja evropiane 116 111, e cila është e dedikuar për nevojat e fëmijëve dhe të rinjve. Ndërsa numri telefonik 070 390 632 do të shërbejë për ndjekjen e rasteve që kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme dhe përcjellje të mëtejshme deri te institucionet.
Prezantimi i raportit u mbajt në kuadër të projektit “Hapësirë e sigurt në internet për fëmijë dhe të rinj”, i mbështetur nga Qeveria e Zvicrës përmes “Civica Mobilitas”, informuan nga “Megjashi”, përcjell PressOnline.al.



