Remzi Mehmedi: Akti i sotëm i studentëve si shpresë dhe gjenerimi i proceseve nesër si nevojë e domosdoshme!

featured
Press Online
18 Maj 2026, 13:46

Studentët protestuan sot për një të drejtë të mohuar që natyrshëm dhe ligjërisht na takon dhe për këtë, studentët meritojnë një lavdatë të madhe, përkrahje dhe respekt. Mirëpo nëse këtë temë e mbyllim me kaq, si një akt me qëllim në vetëvete, me dashamirësinë më të madhe për të lartësuar aktin , pa dashje ose nga pakujdesia ne minimizojmë të njejtin. Të tentojmë të shohim përtej një akti me qëllim në vetëvete por si akt në të cilin kumulativisht gërshetohen sot e duhet të gjenerojë nesër organizime e reflektime të reja. Jetojmë në një periudhë delikate të politikës ndërkombëtare, evropiane, rajonale, mbarkombëtare, e veçanërisht në RMV ku gjërat gjithmonë janë më të komplikuara deri në nivelin sa nuk gjen dot ndonjë libër për t’i studiuar e as ndonjë vend tjetër për t’i krahasuar. Akti i studentëve ju dha shuplakë të gjithë atyre që punuan e punojnë me vite për të katandisur shqiptarët deri në këtë gjendje organizative në çdo segment të organizimit shoqërorë. Ata dëshmuan që qenja jonë është gjallë, madje shumë vitale. Njëkohësisht akti i tyre duhet të shërbejë edhe si një shkundje për t’u zgjuar nga letargjia që ka kapluar shoqërinë tonë, disa nga dëshprimi i ndodhive dhe halleve të përditëshme që dita ditës bëhen edhe më të rënda, disa nga sharlatanizmi dhe disa nga ruajtja me fanatizëm e konforzonës e cila fatkeqësisht është e segmentuar vetëm sa niveli i parë i Piramidës së Masllovit. Ky akt veprimi nga studentet vjen në një kohë kur shoqërinë civile në mënyrë sistematike e kemi vrarë ose me vetëdëshirë është vetëvrarë. Ku organizimin politik e kemi në nivelin më të ulët të mundëshëm në të gjithë kuptimet. Kur reagimin mbi fenomenet dhe padrejtësitë më absurde e kemi nën zero sepse përpos që nuk reagojmë si shoqëri, lejojmë që e keqja të na shitet si e mirë, dështimi si sukses, tradhëtia si zhdērvjellësi, korrupsioni si zotësi, e sharlatanizmi si trend i kohës. Prandaj akti i sotëm uroj dhe besoj që nuk do të mbesi vetëm si akt i izoluar por do të trokasi te të gjithë shtresat dhe segmentet për reflektim më të thellë dhe gjithëdimensional!

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter