Pas përfundimit të spektaklit të madh të Eurovision Song Contest 2026, vëmendja është zhvendosur tek prapaskenat dhe sidomos tek pagesat që kanë marrë prezantuesit e këtij edicioni.
Dyshja Victoria Swarovski dhe Michael Ostrowski kaluan tri netë në skenë duke prezantuar konkursin para miliona teleshikuesve në mbarë botën, ndërsa tashmë mediat austriake kanë zbuluar shifrat e mundshme që ata kanë përfituar nga ky angazhim.
Edhe pse organizatorët i mbajnë tarifat sekret dhe kontratat nuk lejojnë publikimin e detajeve financiare, raportimet flasin për honorare mjaft të larta.
Sipas mediave në Austri, Victoria Swarovski mund të ketë përfituar deri në 120 mijë euro për rolin e saj në Eurovision, duke përfshirë provat, intervistat, xhirimet dhe angazhimet promovuese.
Ndërkohë, fitimet e Michael Ostrowski thuhet se varionin mes 80 dhe 100 mijë eurove.
Swarovski konsiderohet prej vitesh një nga moderatoret më të kërkuara në tregun gjermanofolës. Që prej vitit 2018 ajo drejton emisionin “Let’s Dance” në RTL, ku sipas raportimeve fiton rreth 300 mijë euro për sezon.
Megjithatë, Eurovision kërkon një përkushtim shumë më intensiv sesa thjesht dalja live në skenë. Përveç tri netëve të transmetimit, prezantuesit kalojnë javë të tëra në prova, xhirime, intervista dhe përgatitje skenike.
Pikërisht ky nivel angazhimi është arsyeja pse honoraret në spektakle të këtij niveli konsiderohen ndër më të lartat në industrinë televizive europiane.



