Ye nuk do të performojë më në Indi këtë muaj, pasi koncerti i tij i planifikuar në Nju Delhi është anuluar zyrtarisht nga organizatorët.
Eventi, i parashikuar për më 23 maj 2026 në stadiumin “Jawaharlal Nehru Stadium”, do të shënonte koncertin e parë të reperit në Indi dhe konsiderohej një nga ngjarjet muzikore më të mëdha të vitit në vend. Fillimisht, shfaqja ishte planifikuar për 29 mars, por ishte shtyrë për në maj.
Sipas një deklarate të publikuar nga organizatorët në Instagram, anulimi erdhi pas “udhëzimeve nga autoritetet”, megjithëse nuk u dhanë detaje të tjera mbi arsyet konkrete të këtij vendimi.
Jemi thellësisht të zhgënjyer të njoftojmë se ‘Ye Live in India’, i planifikuar për 23 maj 2026 në Nju Delhi, nuk do të zhvillohet për shkak të direktivave nga autoritetet
-thuhej në reagim.
Organizatorët theksuan se siguria e qytetarëve dhe pjesëmarrësve mbetet prioriteti kryesor dhe se situata aktuale nuk lejonte zhvillimin normal të eventit.
Ndërkohë, të gjitha biletat e blera përmes platformës zyrtare do të rimbursohen brenda 5 deri në 7 ditëve pune.
Pavarësisht anulimit, ekipet e artistit dhe organizatorët raportohet se po shqyrtojnë mundësinë për një datë të re në të ardhmen, por deri tani nuk ka ende një konfirmim zyrtar për rikthimin e koncertit në Indi.



