Po ashpërsohet beteja për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Penale. Në garë janë Daniela Dimovska, ushtruese aktuale e detyrës kryetare e Penales, dhe Ivica Stefanovski, gjyqtar në Gjykatën Penale. Ata sot në Këshillin Gjyqësor iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve se si do t’i mbrojnë gjyqtarët nëse denoncojnë presione politike. Dimovska premton se për 40 për qind do ta shkurtojë kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore dhe se do të zbatojë edhe dërgesë elektronike për avokatët, që të mos ketë vonesa apo shtyrje të seancave.
Unë jam në këtë pozitë 10 muaj dhe konsideroj se duhet të vendosen indikatorë që do të matin rezultatet. Jam krenare për kolegët e mi – lëndët për dhunë familjare i përfundojmë mesatarisht për katër muaj. Gjyqtarët, veçanërisht në Gjykatën Penale, punojnë shumë. Në orën tetë të gjithë janë tashmë në punë, me numër të madh lëndësh. Por, për fat të keq, ne jemi shumë të dukshëm vetëm kur ka lajme negative. Vetëm një rast korruptiv e rrënon besimin tek të gjithë ne. Na është mbushur kupa nga ato dy për qind”, potencoi Daniela Dimovska – kandidate për kryetare të Gjykatës Penale – Shkup.
Stefanovski tha se do të angazhohet për shkurtimin e kohëzgjatjes së procedurave, ndërsa premton përmirësim të transparencës dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore. Problem i madh për Stefanovskin është shpërndarja e pabarabartë e lëndëve. Ai është i njohur në opinion për rastet e Lupço Palevski dhe dhunuesit nga Karposhi – Stojançe Jovanovski.
“Konsideroj se duhet t’u jepet prioritet lëndëve të vjetra dhe të zvogëlohet koha ndërmjet seancave. Këtu ka hapësirë për qasje më energjike dhe më serioze ndaj azhurnimit. Sistemi “AKMIS” është më i vjetër se 20 vjet dhe nuk njeh lëndë të ndërlikuar apo të thjeshtë. Prandaj shpërndarja nuk mundëson ngarkesë të barabartë te gjyqtarët – disa janë të mbingarkuar”, tha Ivica Stefanovski – kandidat për kryetar të Gjykatës Penale – Shkup.
“Qëllimi është që përmes zgjedhjes së këtij kryetari të arrihet organizim më i mirë, gjyqësor më efikas, të zvogëlohet ose të hiqet shprehja ‘drejtësia e vonuar nuk është drejtësi’. Megjithatë, të gjitha këto pyetje janë të lidhura me personalitetin, përvojën dhe kapacitetin e tij për menaxhim, edhe pse ka edhe arsye objektive. Megjithatë, kapaciteti subjektiv i gjyqtarit të parë, përkatësisht kryetarit, ka shumë ndikim”, u shpreh Ivica Nikollovski nga Këshilli Gjyqësor.
Të gjitha rezultatet Komisioni do t’ia prezantojë Këshillit, anëtarët do të bëjnë renditjen, pas çka kandidatët do të kenë të drejtë edhe për ankesa në Gjykata Administrative. Nëse nuk ka vërejtje, do të votohet se cili nga dy kandidatët, Dimovska apo Stefanovski, do të ulet në kolltukun e kryetarit në Gjykatën Penale, e cila konsiderohet si një nga gjykatat më të fuqishme dhe më të ekspozuara në shtet.(Tv21)



