Raporti i dytë “Global State of Football” tregon se Fiorentina, Atalanta dhe Napoli kanë qenë klubet më të qëndrueshme financiarisht në Serie A gjatë sezonit 2024-25, ndërsa Gian Piero Gasperini është vlerësuar si trajneri më efikas në elitën e futbollit italian.
Studimi, i realizuar nga teknologjia kryesuese botërore e inteligjencës artificiale PLAIER dhe Universiteti i St. Gallen, ka analizuar 226 klube në 14 liga gjatë sezonit 2024-25, duke vlerësuar faktorë si cilësia e skuadrës, performanca e drejtorit sportiv, efektiviteti i trajnerit dhe stabiliteti financiar.
Raporti nuk nxjerr në pah vetëm se cilat klube patën sukses, por edhe se si e arritën atë sukses dhe me çfarë kostoje financiare. Fiorentina doli klubi më i qëndrueshëm financiarisht në Serie A, duke regjistruar një raport kapitali prej 72%, e ndjekur nga Atalanta dhe Napoli në vendin e dytë dhe të tretë.
Como u vlerësua me departamentin sportiv më efikas, duke sjellë rezultatet më të forta në raport me burimet që kishte në dispozicion.Napoli, që fitoi titullin sezonin e kaluar, u rendit i treti, ndërsa Interi nënkampion, u pozicionua vetëm në vendin e 14-të.
Në skajin tjetër të renditjes, Parma shënoi performancën më të dobët të departamentit sportiv në kampionat, duke dështuar ta shndërrojë investimin financiar në rezultate konkrete në fushë./Telegrafi/



