Superjahti luksoz “Nord”, i lidhur me oligarkun rus Alexei Mordashov, ka kaluar gjatë fundjavës Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht kufizimeve dhe tensioneve në këtë zonë strategjike.
Sipas të dhënave të platformës së monitorimit detar MarineTraffic, jahti 142 metra i gjatë u nis nga Dubai të premten në mbrëmje dhe mbërriti në marinën Al Mouj në Muskat të Omanit të dielën në mëngjes.
Kalimi i këtij jahti konsiderohet i rrallë, pasi shumë anije private kanë shmangur këtë korridor detar për shkak të situatës së tensionuar. Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme të energjisë në botë, ku në kushte normale kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Guerre au Moyen-Orient: le superyacht d’un oligarque russe a franchi le détroit d’Ormuz pic.twitter.com/cNFeXaRDLQ
— BFM (@BFMTV) April 28, 2026
Jahti “Nord” vlerësohet të ketë një vlerë mbi 500 milionë dollarë. Edhe pse Mordashov nuk figuron si pronar zyrtar, raportime të mëparshme tregojnë se anija është regjistruar në vitin 2022 në një kompani në pronësi të bashkëshortes së tij.
Ndërkohë, tensionet në rajon mbeten të larta. Irani ka kufizuar lëvizjen e anijeve pas njoftimeve të presidentit amerikan Donald Trump për masa ndaj porteve iraniane.
Në të njëjtën kohë, Teherani po intensifikon bashkëpunimin me Moskën. Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi së fundmi takime me zyrtarë të lartë iranianë në Shën Petersburg, ku u theksua “partneriteti strategjik” mes dy venE madhee.
Mordashov është nën sanksione nga SHBA, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar që prej pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Megjithatë, superjahti i tij nuk është sekuestruar.
Ende nuk dihet nëse vetë Mordashov ndodhej në bord gjatë kalimit të jahtit në Ngushticën e Hormuzit.



