“A nuk ju ka ardhur në majë të hundës nga dyfytyrësia dhe standardet e dyfishta të partive “të mëdha”? Ligji duhet të vlejë njësoj për të gjithë. Ashtu siç vlen për presidentin e shtetit, për prokurorin publik, për ambasadorët, duhet të vlejë edhe për të gjithë personat e zgjedhur dhe të emëruar. Pa përjashtim. Që nga sot! Dhe kjo të vlejë edhe për aktualët, pa shtyrje”, deklaroi Monika Zajkova – deputete dhe kryetare e Partisë Liberal Demokratike (PLD), informon PressOnline.al
Shumica qeverisëse në seancën e sotme plenare e shtyu përpara nevojën për ndryshime në dy ligje të rëndësishme me procedurë të shkurtuar – ndryshimet në Ligjin për Qeverinë, me të cilat shfuqizohet qeveria teknike pas zgjedhjeve të rregullta në vitin 2028 ose pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, si dhe ndryshimet në Ligjin për deputetët, sipas të cilave deputetët do të duhet të kenë vetëm shtetësi maqedonase. Praktika e miratimit të ligjeve me procedurë të përshpejtuar vjen pasi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, vetëm para dy ditësh u mburr me propozimin që për të gjitha ligjet të ketë debat publik.
Opozitarja LSDM do ta mbështesë propozimin e VMRO-DPMNE-së që deputetët të kenë vetëm shtetësi maqedonase, por do të paraqesë amendament që ligji të vlejë edhe për përbërjen aktuale parlamentare. Një grup deputetësh nga partia në pushtet i propozuan ndryshimet në Ligjin për deputetët, të cilat do të miratohen me procedurë të shkurtuar.
“Mashtrim klasik i pushtetit. Propozohet ligj që deputetët të mos kenë më shumë shtetësi, dhe kjo është mirë, por askund nuk thuhet qartë se kjo vlen edhe për përbërjen aktuale. Ligjin do ta mbështesim dhe me amendamente do të ndërhyjmë që këto kritere të vlejnë edhe për përbërjen aktuale. Njëkohësisht do të përgatisim ligj që kjo të vlejë për të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar”, tha lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, përcjell PressOnline.al
Edhe deputetja dhe kryetarja e PLD – Partia Liberal Demokratike, Monika Zajkova, konsideron se ligji duhet të vlejë për të gjithë funksionarët.
“A nuk ju ka ardhur në majë të hundës nga dyfytyrësia dhe standardet e dyfishta të partive “të mëdha”? Ligji duhet të vlejë njësoj për të gjithë. Ashtu siç vlen për presidentin e shtetit, për prokurorin publik, për ambasadorët, duhet të vlejë edhe për të gjithë personat e zgjedhur dhe të emëruar. Pa përjashtim. Që nga sot! Ja, le të mos kenë shtetësi të dyfishtë as deputetët, as ministrat, as drejtorët – të gjithë. Dhe kjo të vlejë për aktualët, pa shtyrje”, thotë Zajkova.
Ajo i ftoi deputetët dhe funksionarët që të vërtetojnë me deklaratë noteriale se nuk kanë shtetësi tjetër përveç asaj maqedonase, si dhe se nuk kanë pasur shtetësi të dyfishtë në momentin kur kanë marrë funksionin. Nëse konstatohet se dikush ka pasur shtetësi të dyfishtë, sipas saj, duhet menjëherë të japë dorëheqje.
Kaloi edhe “nevoja” për shfuqizimin e qeverisë teknike
Përveç këtyre ndryshimeve, në Kuvend me procedurë të shkurtuar u votua edhe nevoja për ndryshime në Ligjin për Qeverinë, me të cilat shfuqizohet qeveria teknike. Propozimi kaloi me 63 vota “pro” nga shumica qeverisëse, ndërsa 13 vota kundër ishin nga opozitarët LSDM dhe Fronti Evropian.
Argumentet e opozitës kundër këtyre ndryshimeve janë se qeveria teknike nuk duhet të shfuqizohet, pasi sipas tyre, qeveria i ka partizuar institucionet, si në kohën e Nikola Gruevskit, kur kjo qeveri u vendos me ndihmën e përfaqësuesve ndërkombëtarë. Opozita gjithashtu konsideron se qeveria e Përzhinës nuk duhet të shfuqizohet pa konsensusin e katër partive më të mëdha, pasi Ligji për Qeverinë është miratuar me konsensus.
Nga ana tjetër, LSDM do ta mbështesë ligjin e propozuar nga VMRO-DPMNE që deputetët të kenë vetëm shtetësi maqedonase, por vetëm nëse kalon amendamenti i tyre që kjo të vlejë edhe për përbërjen aktuale parlamentare.
Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, për shfuqizimin e qeverisë teknike tha se propozimi për miratim me procedurë të shkurtuar del jashtë kornizës së modelit sipas të cilit është miratuar Ligji për Qeverinë.
“Është miratuar me negociata të katër partive më të mëdha, me garanci nga BE-ja dhe SHBA-ja. Pas zgjedhjeve të vitit 2016 dispozitat për qeverinë teknike pushuan së vlefuri dhe me kërkesë të VMRO-DPMNE-së dhe Hristijan Mickoskit u rikthyen në vitin 2018, me dispozitë që të vlejnë deri në hyrjen e Maqedonisë në BE. Së dyti, Ligji për Qeverinë është pjesë e listës së ligjeve nga agjenda reformuese dhe me këtë procedurë të shkurtuar nuk do t’i përmbushim kriteret. Nuk ka nevojë për nxitim. Të kthehemi në dialog dhe të arrijmë konsensus në Kuvend”, tha Spasovski.
Shefi i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikola Micevski, tha se nuk e kupton reagimin “panik” të LSDM-së, pasi sipas tij argumentet nuk qëndrojnë.
“Procesi për miratimin e shpejtë të ligjit filloi më 20 janar, kur u mblodhëm për bisedime, dhe viteve të fundit kemi dëgjuar se qeveria teknike duhet të shfuqizohet. Edhe ne në opozitë kemi kërkuar heqjen e saj. Tani, pas disa muajsh bisedime, ju po tërhiqeni. Ligji nuk do të vlejë për zgjedhjet e ardhshme, por për ato pas tyre. Ka kohë të mjaftueshme për diskutime dhe amendamente”, tha Micevski.
Spasovski u kundërpërgjigj se nuk ka panik, por reagim ndaj mënyrës se si po shtyhen gjërat.
“Asnjëherë nuk kemi munguar në bisedime kur jemi ftuar. Në Ministri isha unë dhe i shprehëm qëndrimet tona, ndërsa ju nuk erdhët”, tha ai.
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, vlerësoi se disa ligje në Kuvend janë, në minimum, skandaloze dhe theksoi se qeveria teknike është marrëveshje ndërpartiake që mund të shfuqizohet vetëm me konsensus.
“Ajo është mekanizëm për zgjedhje të lira dhe demokratike. Ky ligj në këtë formë nuk duhet të kalojë”, tha Filipçe.
Deputetja nga BDI, Arbana Pasholli, deklaroi se nuk do t’i mbështesin ndryshimet as në Ligjin për deputetët dhe as në Ligjin për Qeverinë.
“Qeveria teknike është arritur përmes marrëveshjes politike me ndërmjetësim ndërkombëtar dhe duhet të shfuqizohet në të njëjtën mënyrë. Ne nuk do ta mbështesim ligjin”, tha Pasholli.(PressOnline.al)



