Së bashku kontrollojnë më shumë se 90% të shtyllës së dytë pensionale në Maqedoninë e Veriut, ndërsa një pjesë e mirë e të ardhurave të tyre e realizojnë nga interesat e obligacioneve shtetërore si letra me vlerë borxhi që i blejnë nga Ministria e Financave, informon PressOoline.al
KB Prvo Shoqëri Pensionale SHA Shkup dhe Sava Shoqëri Pensionale SHA Shkup posedojnë obligacione shtetërore që së bashku arrijnë një vlerë prej rreth 14.5 milionë euro. Ky është rezultati i përgjithshëm nga raportet financiare të publikuara për vitin 2025 të dy shoqërive private pensionale në Bursën e Maqedonisë. Edhe pse pjesa më e madhe e të ardhurave vjen nga kontributet, një pjesë e fitimit të tyre buron edhe nga blerja e obligacioneve shtetërore.
“Sava Shoqëria Pensionale” ka rreth 6.5 milionë euro në obligacione shtetërore, ku një pjesë janë të vazhdueshme dhe të disponueshme për shitje, ndërsa një pjesë është euroobligacion që mbahet deri në maturim. “KB Prvo” njoftoi se obligacionet e saj të vazhdueshme shtetërore do t’i mbajë deri në maturim, ndërsa vlera e tyre në fund të vitit 2025 ishte 8 milionë euro.
“Obligacionet e vazhdueshme maturohen në periudhën nga viti 2025 deri në 2050 dhe kanë normë vjetore interesi nga 2.20% deri në 5.35%”, ka njoftuar “KB Prvo”, ndërsa “Sava pensionale” nuk ka një koment të veçantë në raport përveç se norma e kthimit varion nga 2.44% deri në 6.14% për euroobligacionin, informon PressOnline.al
Në raportin e “KB Prvo” thuhet se në nivel vjetor për vitin 2025, të ardhurat nga interesat e letrave me vlerë kanë qenë rreth 350 mijë euro, ndërsa tek “Sava pensionale” nuk ka të dhëna të sakta për këtë segment, përveç faktit se të ardhurat totale nga interesat nga aktiviteti arrijnë rreth 650 mijë euro.
Ndryshe, në raportet e tyre të dy shoqëritë private pensionale kanë njoftuar se kanë realizuar fitim prej 4.2 milionë euro (KB Prvo), respektivisht 3.2 milionë euro (Sava pensionale). Sipas pjesëmarrjes në mjetet totale, KB Prvo ka 48% në shtyllën e dytë pensionale, ndërsa “Sava pensionale” është e përfaqësuar me 43%.(PressOnline.al)



