“Milani ka opsionin e rinovimit të cilin dëshiron ta aktivizojë. Prilli dhe maji do të jenë muaj kyç”
Sezoni futbollistik po i afrohet fundit, e po ashtu edhe në Serinë A italiane. Kjo do të thotë se po afrohet edhe afati kalimtar i verës, në të cilin Milani do të ketë shumë punë për të bërë. Problemin më të madh do ta kenë në mesfushë, ku lehtësisht mund të kërkohet një zëvendësues për Luka Modriç, ndonëse një zëvendësim i asaj cilësie vështirë se mund të gjendet mes futbollistëve aktualë.
Ja çfarë ka publikuar e përditshmja italiane Gazzetta Dello Sport për legjendën e futbollit kroat, tre muaj para afatit kalimtar veror, ku përmendet edhe Dinamo e Zagrebit:
“Menjëherë emri më i rëndësishëm. Luka Modriç ndihet shumë mirë te Milani, ashtu si edhe familja e tij. Ai është zotëria i mesfushës së Allegrit dhe në Serie A, madje edhe në moshën 40-vjeçare, ka marrë konfirmimin se mund të vazhdojë të jetë një faktor vendimtar.
Kontrata e tij skadon në qershor, muaj në të cilin ai do të luajë kampionatin e pestë botëror në karrierën e tij, por Milani ka opsionin e zgjatjes edhe për një vit tjetër, të cilin dëshiron ta aktivizojë. Vendimi do të merret së bashku dhe mendimi i Modriç do të jetë, natyrisht, vendimtar. Prilli dhe maji do të jenë muajt përcaktues”, shtohet në shkrim, duke konkluduar:
“Rikthimi te Dinamo e Zagrebit momentalisht nuk është opsion. Opsionet janë dy: pensionimi ose qëndrimi te Milani edhe për një sezon, me synimin për të ngritur nivelin e skuadrës edhe në Ligën e Kampionëve. Duhet llogaritur edhe faktori i paparashikueshmërisë. Modriç mendonte se do ta mbyllte karrierën te Reali, përpara se Milani të trokiste në derë.”
Luka deri më tani gjatë këtij sezoni ka shënuar dy gola dhe ka regjistruar tre asistime, por roli i tij si motor i skuadrës nuk është zhdukur, veçanërisht për faktin se Milani luan pothuajse gjatë gjithë sezonit vetëm një ndeshje në javë, gjë që i përshtatet mjaft mirë Modriç duke pasur parasysh moshën e tij.
Shtatë xhiro para fundit, Milani aktualisht ndodhet në vendin e tretë në tabelën e Serie A me 63 pikë, nëntë më pak se lideri Interi, por gjashtë më shumë se Juventusi i vendit të pestë, duke bërë që kualifikimi në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm të jetë gjithnjë e më afër.


