Inteligjenca artificiale po hap rrugë të reja ndaj sëmundjeve të pashërueshme?!

featured
Press Online
14 Mars 2026, 07:30

Për rreth gjysmë shekulli, njerëzimi ka qenë duke humbur gradualisht betejën kundër baktereve. Antibiotikët, po bëhen gjithnjë e më pak efektivë pasi bakteret po zhvillojnë rezistencë ndaj tyre. Sot rreth 1.1 milion njerëz vdesin çdo vit nga infeksione që deri para pak kohësh trajtoheshin lehtë, dhe sipas parashikimeve kjo shifër mund të arrijë më shumë se tetë milion deri në vitin 2050 nëse nuk ndërmerren masa urgjente.

Zhvillimi i antibiotikëve të rinj është një proces i ngadaltë dhe shumë i kushtueshëm. Midis viteve 2017 dhe 2022 u miratuan vetëm 12 antibiotikë të rinj dhe shumica e tyre janë të ngjashëm me ilaçet ekzistuese ndaj të cilave bakteret tashmë po krijojnë rezistencë. Për më tepër, kjo fushë ka vuajtur nga mungesa e interesit nga kompanitë farmaceutike dhe financimi i pamjaftueshëm. Megjithatë, tani shkencëtarët po shohin një mundësi të re: Inteligjencën Artificiale. Studiuesit thonë se me ndihmën e saj mund të analizohen miliona përbërje kimike brenda disa orësh apo ditësh, për të gjetur ato që mund të shkatërrojnë bakteret.

Profesori i inxhinierisë mjekësore në MIT, James Collins dhe ekipi i tij kanë përdorur modele gjeneruese të inteligjencës artificiale për të studiuar strukturat kimike të antibiotikëve ekzistues dhe për të mësuar se çfarë i bën ata efektivë. Më pas, sistemi analizoi më shumë se 45 milion struktura kimike për të gjetur kandidatë të rinj që mund të luftojnë bakteret që shkaktojnë gonorrenë dhe MRSA, dy infeksione shumë rezistente ndaj ilaçeve.

AI krijoi rreth 36 milion përbërje të reja potenciale. Nga këto, studiuesit testuan 24 në laborator. Shtatë treguan aktivitet antibakterial, ndërsa dy rezultuan shumë efektive edhe ndaj baktereve që nuk reagojnë ndaj antibiotikëve ekzistues. Këto përbërje funksionojnë ndryshe nga antibiotikët aktualë, gjë që rrit shpresat se mund të krijohet një klasë e re ilaçesh për të luftuar bakteret rezistente. AI po përdoret gjithashtu për të gjetur trajtime për sëmundje që ende nuk kanë kurë, si Parkinsoni.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter