Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi për “Türkiye Today” se siguria e Kosovës është e lidhur drejtpërdrejt me atë të Shqipërisë, duke e cilësuar çdo kërcënim ndaj Prishtinës si një rrezik ekzistencial për Tiranën.
“Kosova është e pavarur; është republikë. Ky proces është i pakthyeshëm. Nëse Kosova preket, preket edhe Shqipëria. Nëse Kosova është nën një kërcënim ekzistencial, Shqipëria është nën një kërcënim ekzistencial”, u shpreh Rama, duke rikonfirmuar pozicionin e palëkundur të shtetit shqiptar.
Gjatë kësaj interviste, kreu i qeverisë shqiptare i konsideroi si të pabaza pretendimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, mbi një aleancë të supozuar ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.
Rama theksoi se Vuçiq mbetet një lider me intuitë, por që vuan nga “makthi” i Kosovës, gjë që sipas tij e shtyn atë të bëjë deklarata që nuk kanë kuptim. Po ashtu, ai hodhi poshtë idenë e “neo-osmanizmit” turk në rajon, duke vënë në dukje se Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Shqipëri dhe Kosovë së bashku, duke e portretizuar frikën e Beogradit si një paaftësi për të pranuar realitetin e ri në Ballkan.(INA)



