Maqedonci i përgjigjet ashpër Vuçiqit: Militarizimi i Serbisë kërcënim për rajonin, Kosova është realitet i pakthyeshëm
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vučić, të bëra gjatë prezantimit të strategjisë “Serbia 2030”, ku ai tha se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se aktualisht nuk ka partner për dialog në Prishtinë.
Sipas Maqedoncit, deklaratat e Vuçiqit janë vazhdim i një narrative politike që mohon realitetin dhe synon të mbajë të tensionuar të gjithë rajonin.
Ai theksoi se Kosovo është shtet i pavarur dhe sovran me institucione legjitime të dala nga vullneti demokratik i qytetarëve dhe se ky realitet, sipas tij, është i pakthyeshëm.
Ministri paralajmëroi gjithashtu se strategjia “Serbia 2030”, e cila parashikon rritje të mëdha të shpenzimeve ushtarake, investime miliardëshe në armatim dhe zhvillimin e industrisë së dronëve, tregon për një proces të vazhdueshëm të militarizimit të Serbisë.
“Kur këto zhvillime shoqërohen me pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe me retorikë që mohon shtetësinë tonë, si dhe me projektin hegjemonist ‘Bota Serbe’, ato krijojnë shqetësime reale për sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, theksoi Maqedonci.
Ai përmendi edhe veprimet destabilizuese të viteve të fundit, duke përfshirë sulmin e armatosur në Banjska, të cilin e cilësoi si akt agresor dhe terrorist që dëshmon rrezikun e qasjeve hegjemoniste nga qarqe politike në Serbi.
Maqedonci e quajti paradoksale deklaratën e Vuçiqit se “nuk ka partner për të folur”, duke ngritur pyetjen se çfarë pret presidenti serb: një qeveri në Kosovë që do të pranonte pretendimet territoriale të Serbisë apo ndarjen e territorit.
Ai theksoi se qytetarët e Kosovës i kanë refuzuar një herë e përgjithmonë projektet që cenojnë sovranitetin e vendit.
Në fund, ministri i Mbrojtjes nënvizoi se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon, por edhe për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas standardeve euro-atlantike, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.



