Ligji për ndalimin e duhanit me zbatim gradual

featured
Press Online
16 Shkurt 2026, 09:50

Ligji për ndalimin e duhanit do të miratohet, por zbatimi i tij do të bëhet gradualisht, sigurojnë autoritetet, informon PressOnline.al

Nga njëra anë, mjekët paralajmërojnë për pasojat e dëmshme të pirjes së duhanit dhe theksojnë nevojën për mbrojtjen e të rinjve; nga ana tjetër, pronarët e lokaleve, tregtarët e vegjël dhe kultivuesit e duhanit shprehin shqetësim se masa do të ndikojë negativisht në bizneset e tyre.

Nga Qeveria vijnë sinjale të përziera lidhur me miratimin e ligjit. Ndërsa konfirmojnë se ai do të kalojë, në të njëjtën kohë po shqyrtojnë mundësinë e zbutjes së tij pas reagimeve të marra, si dhe paralajmërojnë se gjobat nuk do të fillojnë të aplikohen menjëherë. Theksojnë se nuk janë penduar për propozimin, por njoftojnë një implementim me faza, përkatësisht një qasje më të butë në fillim. Presin që deri në fund të vitit ligji të zbatohet plotësisht.

“Ligji do të miratohet, por në bashkëpunim me sektorin e gastronomisë do të fillojmë me një fazë pa gjoba, me informim dhe edukim. Së bashku të arrijmë të ndërtojmë kulturën që synojmë dhe më pas të kalojmë në fazën e radhës”, deklaroi këshilltari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë, Nikolla Grpçevski.

Më herët, edhe ministri Azir Aliu tha se nuk do të nisin menjëherë me gjobitje, ndërsa zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, theksoi se ekzistojnë 50-50 gjasa për zbutje të propozimit.

Sipas tekstit të propozuar, ligji duhet të fillojë të zbatohet nga 1 marsi, pra pas dy javësh, megjithatë ai ende nuk ka hyrë në procedurë parlamentare.

Ligji i ri, më i rreptë, parashikon ndalim të plotë të pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura, përfshirë objektet e gastronomisë, si dhe ndalim të duhanpirjes në hapësira të jashtme para kopshteve për fëmijë, spitaleve dhe në stacionet e autobusëve.

Pirja e duhanit do të lejohet në tarracat e lokaleve vetëm nëse ato nuk janë të mbyllura. Përveç cigareve tradicionale, ndalohen edhe cigaret elektronike dhe pajisje të tjera për konsumimin e duhanit dhe nikotinës. Po ashtu, ashpërsohen rregullat për shitjen e produkteve të duhanit.

Gjobat parashikohen nga 150 deri në 300 euro për individët që shkelin ligjin, ndërsa për kompanitë nga 2.000 deri në 5.000 euro.
Personat përgjegjës në kompani do të përballen me gjoba nga 1.500 deri në 2.000 euro.

Maqedonia e Veriut renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të duhanpirësve në Evropë. Rreth 45 për qind e popullsisë së rritur konsumon duhan.

Çdo vit, rreth 4.000 persona në vend humbin jetën si pasojë direkte e pirjes së cigareve. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, një e treta e të rinjve pinë duhan, shumë prej tyre përdorin cigare elektronike.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter