Kryeministri Edi Rama ka treguar se do të vizitojë Uashingtonin këtë javë, me ftesë të Presidentit Donald Trump, ku do të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes për Gazën.
Komentet Rama i bëri në podkastin e tij ‘Flasim’, ku tha se Shqipëria ka privilegjin që të jetë shtet themelues i Bordit të Paqes dhe të mos kontribuajë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme.
Shefi i Qeverisë nuk harroi të ironizonte edhe opozitën, e cila disa ditë më parë deklaronte se kryeministri nuk udhëtonte dot në SHBA, pasi sipas tyre ishte futur në listë të zezë nga administrata Trump.
Rama pritet të niset në 18 shkurt drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe takimi i shteteve anëtarë të Bordit të Paqes do të mbahet në 19 shkurt.
“Shënimi i fundit është i lidhur me jetën ndërkombëtare, nëse mund ta quaj kështu. Më ka ardhur këtë javë ftesa nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim për atë që e kam paralajmëruar, kur ajo tufa e bombave artizanale, plaste dhe kërciste edhe në sallën e Kuvendit, me gjithfarëlloj pretendimesh që sot i nxjerrin përsëri qesharakë, duke thënë se unë nuk shkoj dot, se mua s’më kanë ftuar,se,se,se… Dhe faktikisht, siç e paralajmërova, do të jem në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të atij bordi, ku Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues dhe ku Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes”, tha Rama.
Teksa komentoi protestën e 10 shkurtit të thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha, Edi Rama është shprehur se PD është e vetmja parti në Europë që ka në programin e saj dhunën dhe shkatërrimin e pronës.
Rama vijoi më tej duke thënë se udhëheqja e PD-së përgatit bomba artizanale dhe paguan mercenarë për t’i hedhur ato në protestë.


