Mpiksja e gjakut mund të jetë e heshtur, por simptomat e saj nuk duhen nënvlerësuar në disa raste, reagimi i shpejtë shpëton jetën. Mpiksja e gjakut, ose trombi, krijohet si një reagim natyror i organizmit ndaj një dëmtimi. Ajo shërben për të ndalur gjakderdhjen dhe për të mbrojtur trupin. Problemi lind kur trombi formohet pa një arsye të qartë, jashtë mekanizmave normalë mbrojtës të organizmit. Në këto raste, ai mund të shndërrohet në një rrezik serioz për shëndetin, madje edhe për jetën.
Një studim i fundit ka zbuluar se rastet e rralla të trombozës pas vaksinës anti-COVID të AstraZeneca lidhen me një proteinë të adenovirusit të modifikuar, që përdoret për të nxitur përgjigjen imunitare ndaj SARS-CoV-2. Tek disa persona me një profil të veçantë gjenetik, kjo proteinë mund të shkaktojë prodhimin e antitrupave që, në vend të virusit, lidhen me një faktor të mpiksjes së gjakut (PF4), duke krijuar tromboza dhe hemorragji.
Kjo gjendje e rrallë, e njohur si trombocitopenia trombotike imune e induktuar nga vaksina (VITT), është vërejtur kryesisht tek gratë nën 50 vjeç gjatë fushatës fillestare të vaksinimit që ishin imunizuar me vaksinën AstraZeneca. Studiuesit australianë të Flinders University kanë identifikuar se tek disa pacientë, qelizat B prodhojnë antitrupa me ngarkesë të tepruar negative, të cilët sulmojnë PF4 me ngarkesë pozitive, duke nisur një reagim zinxhir që formon mpiksje dhe shteron trombocitet, duke shkaktuar hemorragji. Pavarësisht këtyre rasteve, ato janë jashtëzakonisht të rralla. Në Evropë u regjistruan vetëm rreth 900 raste VITT nga më shumë se 3 miliardë doza të dhëna globalisht. Agjencitë rregullatore kanë konkluduar se përfitimet e vaksinave tejkalojnë rreziqet e rralla.



