Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot vazhdon faza përfundimtare e gjykimit ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Pas përfundimit të ditës së parë të deklaratave përmbyllëse, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë bërë të ditur se sot prokurorëve do t’u nevojiten më pak se dy orë për të shpalosur përgjegjësitë penale të të akuzuarve, ndërsa në fund, prokurorja e specializuar Kimberly West do të mbajë fjalën përmbledhëse.
Në ditën e parë, prokurorja West njoftoi se Prokuroria kërkon dënim me nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, apo gjithsej 180 vjet burgim.
Kërkesa për dënimin prej 180 vjet ka nxitur reagime të shumta, presidentja Vjosa Osmani deklaroi se çdo përpjekje për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e Serbisë minon besimin në drejtësi.
Reagime të ashpra pati edhe nga PDK-ja, ndërsa ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cilësoi kërkesën e Prokurorisë si akt padrejtësie.
Pas përfundimit të fjalës së Prokurorisë, deklaratat përmbyllëse do të vazhdojnë me mbrojtësit e viktimave dhe ekipet mbrojtëse.
Më pas, çështja kalon në shqyrtim te trupi gjykues, i cili ka afat tre muaj për të marrë vendim, me mundësi zgjatjeje.


