PressOnline.al, duke u thirrur në emisionin investigativ KOD, sjell detaje shqetësuese për mënyrën se si janë grumbulluar rreth 40 tonë marihuanë në disa kompani të licencuara për prodhimin e kanabisit mjekësor në Maqedoninë e Veriut.
Sipas hulumtimit të KOD, një ndryshim kyç në rregullore – i nënshkruar nga ish-ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti në dhjetor të vitit 2023 – ka hapur rrugën që kanabisi, për herë të parë, të kultivohet në hapësira të hapura, pra në tokë bujqësore (në fushë), dhe jo vetëm në ambiente të mbyllura ose sera, siç ishte paraparë më herët.
Ky ndryshim, konkretisht në nenin 2, pika 3 të rregullores, lejon kultivimin e kanabisit edhe në “sipërfaqe ose tokë të mbrojtur nga ndikimet atmosferike”, me rrugë qasjeje dhe hapësirë manovrimi për automjete – kushte që, sipas ekspertëve, e bëjnë më të lehtë transportin e kanabisit nga fusha drejt rrugëve kryesore.
Ekspansioni i dyshimtë i licencave
Ligji për kontrollin e drogave narkotike dhe substancave psikotrope është miratuar në vitin 2016 dhe ka filluar të zbatohet në vitin 2019. Fillimisht kishte vetëm 9 kompani të licencuara, por numri i tyre është rritur në mbi 60 kultivues, kryesisht gjatë viteve 2021 dhe 2022. Vetëm një vit më pas nis edhe ekspansioni masiv i prodhimit të kanabisit.
Sipas KOD, problemi kryesor është se kanabisi i kultivuar në fushë nuk plotëson standardet farmaceutike dhe nuk blihet nga kompanitë farmaceutike. Për pasojë, ai përfundon në tregun e zi, si marihuanë ose si vaj me cilësi të ulët që shitet ilegalisht.
Rasti “Alfafarm”
Një nga kompanitë që përmendet në investigim është “Alfafarm Group”, e themeluar në vitin 2023, pak para ndryshimit të rregullores. Kjo kompani ka marrë licencë për punë në prill 2024, vetëm disa muaj pas hyrjes në fuqi të rregullores së re që lejon kultivimin e kanabisit në ambiente të hapura.
Sipas burimeve të KOD, pikërisht këto ndryshime kanë çuar në grumbullimin e sasive të mëdha të kanabisit të papërpunuar në disa kompani të licencuara, ku gjatë bastisjeve policore janë zbuluar sasi që arrijnë deri në 40 tonë kanabis. (PressOnline.al)


