Gjatë vitit të kaluar, Drejtoria e Doganave ka paraqitur gjithsej 213 kallëzime penale kundër 443 personave fizikë dhe 160 personave juridikë pranë Prokurorisë Themelore Publike dhe Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Në 196 raste është konstatuar dëm ndaj buxhetit të shtetit në vlerë prej 102 milionë denarësh, bëri të ditur sot Dogana, informon PressOnline.al
Sipas njoftimit zyrtar, numri i kallëzimeve penale është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2024, kur ishin paraqitur vetëm 91 kallëzime. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 80 për qind, janë evidentuar nga muaji tetor e tutje.
Nga Drejtoria e Doganave sqarojnë se për prodhim dhe qarkullim të paautorizuar të narkotikëve janë zhvilluar hetime dhe janë paraqitur shtatë kallëzime penale, për kontrabandë 40 kallëzime, për mashtrim doganor 39, për falsifikim dokumentesh 85, ndërsa për tregti të paligjshme me armë janë paraqitur gjithashtu shtatë kallëzime penale.
Po ashtu, janë dorëzuar kallëzime për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar, për kryerje të transportit ndërkombëtar publik pa licencë, si dhe për shmangie të pagesës së akcizës. Nga gjithsej kallëzimet e paraqitura, 103 lidhen me vepra penale të kryera me 232 automjete.
Dogana njofton se gjatë fazës së veprimeve parahetimore, shërbimi kundër krimit ekonomik ka dërguar 450 kërkesa për verifikim të dëshmive të origjinës pranë shërbimeve të huaja, ndërsa në 223 raste është konstatuar se dokumentet e origjinës kanë qenë të pavlefshme. Gjithashtu, janë realizuar 71 verifikime të faturave të importit në bashkëpunim me autoritetet e huaja.
Në të njëjtën kohë, shërbimi për hetime financiare ka hapur 15 hetime financiare kundër 19 personave fizikë dhe nëntë personave juridikë, me synim zbulimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, si dhe dobësimin e grupeve kriminale, theksojnë nga Drejtoria e Doganave.(PressOnline.al)


