Produktiviteti i bizneseve në Maqedoninë e Veriut ka pësuar rënie të ndjeshme gjatë dekadës së fundit, duke zbuluar dobësi të thella strukturore në modelin ekonomik të vendit. Kështu vlerëson studimi “Përmirësimi i produktivitetit të biznesit: analizë gjithëpërfshirëse e produktivitetit dhe nxitësve të tij në firmat në Maqedoninë e Veriut”, i realizuar nga Finance Think, bazuar në të dhëna të Anketave të Ndërmarrjeve të Bankës Botërore, informon PressOnline.al
Sipas studimit, produktivititeti total i faktorëve – tregues kyç që mat sa efikasisht firmat përdorin punën dhe kapitalin – ka rënë me 8.4 për qind në periudhën 2013–2019 për firmën mesatare. Kjo do të thotë se, edhe kur investohet dhe punohet më shumë, rezultati ekonomik është më i dobët se më parë, thuhet në analizë.
Kjo rënie, sipas analizës, nuk është thjesht statistikë ekonomike, por simptomë e një modeli zhvillimi që është mbështetur më shumë në zgjerim sasior sesa në rritje të efikasitetit dhe inovacionit.
Studimi nxjerr në pah edhe një tjetër problem serioz: dallime ekstreme të produktivitetit mes firmave. Bizneset më produktive janë deri në 14 herë më efikase sesa ato më pak produktive, shpesh edhe brenda të njëjtit sektor. Kjo, sipas autorëve, tregon për një shpërndarje joefikase të kapitalit dhe fuqisë punëtore, ku burimet mbeten “të bllokuara” te firmat më pak konkurruese.
Në këtë kontekst, analiza vëren se mungesa e konkurrencës reale dhe ndërhyrjet institucionale vazhdojnë të deformojnë tregun, duke penalizuar firmat më efikase dhe inovative.
Studimi konstaton se firmat me pronësi të huaj kanë deri në katër herë produktivitet më të lartë krahasuar me firmat vendase. Po ashtu, bizneset e orientuara drejt eksportit rezultojnë dukshëm më efikase sesa ato që veprojnë vetëm në tregun e brendshëm. Ndërkohë, madhësia apo mosha e firmës nuk rezultojnë faktorë vendimtarë për produktivitetin.
Kjo, sipas analizës tregon se problemi nuk qëndron te mungesa e potencialit, por te mjedisi në të cilin operojnë bizneset vendase.
Një nga gjetjet më të forta të studimit është se korrupsioni përbën pengesën kryesore për rritjen e produktivitetit. Sipas analizës ekonometrike, ndikimi i korrupsionit në produktivitet është mbi 500 herë më i madh sesa ai i infrastrukturës. Kufizimet financiare renditen si faktori i dytë më i rëndësishëm që frenon zhvillimin e firmave.
Studimi paralajmëron se pa përmirësim të sundimit të ligjit, pa institucione funksionale dhe pa një klimë biznesi të parashikueshme, investimet dhe inovacioni do të mbeten të frenuara.
Autorët përfundojnë se Maqedonia e Veriut po ndjek një model rritjeje që mbështetet kryesisht në rritjen e inputeve, e jo në përmirësimin e efikasitetit. Një qasje e tillë, theksohet në studim, nuk mund të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë.(PressOnline.al)


