Trajneri i Betisit, Manuel Pellegrini ka propozuar një rregull të frymëzuar nga basketbolli që do t’u ndalonte skuadrave të tërhiqeshin në gjysmën e tyre të fushës pasi kanë sulmuar.
Sipas tij, ideja tashmë po shqyrtohet nga specialistët.
“Mendoj se ka rregulla të tjera që mund të ndryshohen për ta bërë futbollin më të mirë, si për shembull ndalimi i kthimit të topit në gjysmën tënde të fushës pasi ke kaluar mesfushën. Kjo do ta bënte lojën më dinamike. Ekspertët po e shqyrtojnë këtë. Duhet ta bëjmë lojën më interesante dhe më dinamike, dhe për ta arritur këtë, duhet të qëndrojmë më afër portës së kundërshtarit,” tha Pellegrini.
Propozimi, i cili ngjan me sistemin e basketbollit, erdhi si surprizë, transmeton Klankosova.tv.
Në atë sport, një skuadër ka tetë sekonda për ta kaluar topin në gjysmën tjetër të fushës dhe nuk mund ta kthejë më pas. Nëse dështon, posedimi kalon te kundërshtari. Ideja është që loja të mbetet e shpejtë dhe sulmuese, pa pauza të gjata apo shkëmbime të pafundme pasimesh. Pellegrini dëshiron ta aplikojë të njëjtën logjikë në futboll, por ndikimi do të ishte i madh.
Posedimi i topit, një nga shtyllat e lojës moderne, nuk do të ekzistonte më siç e njohim sot.
Taktikat e ndërtuara mbi ndërtimin e ngadaltë të aksioneve dhe kontrollin e ritmit, si ato të Manchester Cityt të Pep Guardiolës, Barcelonës dhe shumë skuadrave të tjera në botë, do të detyroheshin të ndryshonin. Filozofia e nisjes së aksioneve nga mbrojtja do të humbiste kuptimin nëse pasimi mbrapa do të bëhej i paligjshëm.
Ndryshimet e fundit tashmë tregojnë një përpjekje për ta bërë lojën më të shpejtë. FIFA, për shembull, ka filluar të ndëshkojë portierët që mbajnë topin për më shumë se tetë sekonda. Tani, nëse ky limit tejkalohet, gjyqtari akordon goditje nga këndi për skuadrën kundërshtare. Është një masë më reale që redukton humbjen e kohës pa prishur strukturën e lojës.


