Sipas informacioneve të siguruara nga burime partiake, në anketat e realizuara së fundmi në komunën e Çairit për nevojat e koalicionit VLEN, Bekim Sali nga Alternativa ka rezultuar më i pëlqyeri nga qytetarët, duke lënë pas kryetarin aktual Visar Ganiu nga radhët e Lëvizjes Demokratike.
Burimet për PressOnline bëjnë me dije se në anketim nuk ka qenë i përfshirë emri i zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti, ndonëse së fundmi është përfolur si kandidat i mundshëm, pas shpalljes së kandidaturës për Çairin nga ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
Në këtë kontekst, një status i publikuar nga Bekim Sali në rrjetin social Facebook ka ngritur dilema se ai tashmë po pozicionohet seriozisht për garën në Çair.

“Në Çair – vendosin qytetarët, jo emrat! Fuqia është te vota, jo te etiketat!”, ka shkruar ai, duke dhënë sinjale të qarta për një qasje ndryshe në raport me kandidaturat tradicionale dhe pazarët politike.
Çairi mbetet një nga komunat më të rëndësishme dhe më të vështira për t’u fituar, ku përplasjet brenda koalicionit VLEN për emrin e kandidatit pritet të intensifikohen në javët në vijim.



